Politike

Kërkoi raportim me dyer të mbyllura, Noka drejtueses së SHISH: Po talleni me taksapaguesit!

Nga Gazeta ‘Si’- Mbledhja në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes është shoqëruar sërish me debat.

Kësaj here, përplasja ishte mes kryetares së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni dhe deputetit Flamur Noka.

Në fjalën e saj shkurt, Hyseni bëri një prezantim të buxhetit dhe më pas kërkoi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura.

“Projekt-buxheti për vitin 2026 është parashikuar një fond prej 3 miliard lekë. Kisha kërkuar mirëkuptimin e këtij komisioni për të kaluar në seancë të mbyllur”-u shpreh kryetarja e SHISH Vlora Hyseni.

Por kjo kërkesë ishte e papranueshme për deputetin Flamur Noka. Ai kërkoi që raportimet e drejtueses së SHISH të bëheshin publikisht për të treguar transparencë.

“Nuk është sekret t’u thuash qytetarëve që buxheti i miratuar nga qeveria është kaq dhe kërkesat e shërbimit për të funksionuar normalisht, janë kaq për të mbuluar nevojat tona. Ne po tallemi me qytetarët në rast se do vazhdojmë kështu.

Unë jam deputet i vjetër, këtu në atë vend janë ulur disa krerë shërbimesh në vend të asaj zonjës. Është hera e parë në 35 vite parlament që terri informativ mbulon këtë komision në raportimin e shërbimit informativ. Tallet zonja me taksapaguesit, kjo është e papranueshme.

Sekreti shtetëror është i përcaktuar me ligj. Ky nuk është raportim, por është ‘më ka çuar nëna me la gojën’. Nuk i hedhim dot hi syve shqiptarëve”-u shpreh Noka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë