Drejtësia

Kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Sali Berishës

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e kreut të PD, Sali Berisha për përjashtimin e treshes gjykuese Ilir Panda, Sokol Binaj, Sander Simoni nga gjykimi i rekursit të tij për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Vendimi u dha këtë të enjte nga gjyqtari Enton Dhimitri. Seanca ishte parashikuar të zhvillohej të martën, por Shkalla e Tretë e gjyqësorit e shtyu për në datë 22 prill. Në të njëjtën seancë, gjykata do shqyrtojë dhe rekursin e Berishës dhe të Malltezit për masën e sigurisë.

Ndërkohë, seanca paraprake gjyqësore për dosjen “Partizani”, në ngarkim të Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, nëse dosja duhet të kalojë për gjykim apo jo, është shtyrë për në datën 18 prill, në orën e 09:30.

Herën e fundit seanca u shtye për shkak të mungesës së avokatit të të pandehurit Xhimi Begeja. Për dosjen “Partizani” ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi e biznesmeni Fatmir Bektashi për korrupsion dhe pastrim parash. Ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina vetëm për pastrim parash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë