Drejtësia

Kërkoi përjashtimin e gjyqtares nga afera ‘Partizani’, GJKKO rrëzon sërish Berishën

Gazeta Si – Për të dytën herë me radhë brenda pak ditësh, Gjykata e Posaçme, ka rrëzuar kërkesën e bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha për përjashtim nga shqyrtimi paraprak i dosjes “Partizani” të gjyqtares Flojera Davidhi. Njëkohësisht gjykata ka gjobitur me nga 5 mijë lekë gjobë kërkuesit.

Vendimi u mor nga nga gjyqtarja Flora Hajredinaj. “Mospranimin e kërkesave të kërkuesve: 1. Jamarbër Malltezi; 2. Sali Berisha; 3. Andia Pustina; 3. Shoqëria Tregtare Homeplan shpk, me objekt “Përjashtimin e gjyqtares së seancës paraprake Flojera Davidhi, nga gjykimi i çështjes penale, si të pabazuara në prova dhe në ligj. Caktimin e gjobës 5000 (pesëmijë) lekë, palëve kërkuese”, – thuhet në vendimin e gjykatës.

Në fakt, Flojera Davidhi është gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, e cila tetorin e vitit të shkuar vendosi të lirojë Sali Berishën nga masa e “arrestit shtëpiak” në “detyrim paraqitje”, ndërsa tani avokatët e ish-kryeministrit kërkojnë përjashtimin e saj nga çështja për njëanshmëri.

Kalimi për gjykim i dosjes për aferën “Partizani”, me të pandehur Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi po zvarritet prej 6 muajsh për shkak të taktikave ligjore që kanë përdorur avokatët e të pandehurve.

Seanca e radhës do të mbahet më 19 maj, ndërsa dërgimi në gjyq i dosjes do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë.

Më herët, avokatët e Berishës kanë bërë kundërshtimet e tyre, duke thënë se dosja e ngritur nga SPAK nuk ka fakt penal dhe se provat e grumbulluara nga hetuesit janë të pavlefshme.

Në lidhje me këtë çështje, Sali Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv”. Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion e pastrim parash ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Xhimi Begeja e Andia Pustina vetëm për pastrim parash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë