Gazeta Si – Pas Shkallës së Parë, edhe Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar kërkesën e ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu për lirimin nga qelia, pasi pretendon se ka probleme shëndetësore.
Përmes avokatëve mbrojtës, Fetahu, e akuzuar nga SPAK si e lidhur me bandat kriminale, kërkoi zbutje të masës së sigurisë duke argumentuar se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë qëndrimit në paraburgim.
Por këto pretendime nuk e bindën gjykatën, e cila vendosi të mos ndryshojë masën ndaj gjyqtares, edhe për shkak të provave të gjetura nga SPAK ndaj saj, si edhe dyshimeve për prishje të provave.
Ish-gjyqtarja, e cila mbahet e paraburgosur në Pojskë të Pogradecit, akuzohet nga SPAK për dy dosje kriminale, përkatësisht lidhjet me organizatën e vëllezërve Çopja dhe atë të Suel Çelës, të dyja në Elbasan.
Për dosjen e parë, ndaj saj u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi” ndërsa për dosjen e dytë “arrest në burg”.
Ish-gjyqtarja Fetahu dyshohet se ka pasur lidhje me historitë kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja.
Sipas njoftimit të SPAK, Fetahu u ka dhënë vëllezërve informacione sekrete. Ish-gjyqtarja, sipas SPAK dyshohet se mori 11 mijë euro, një monedhë floriri dhe priste edhe një aparat celular nga anëtarë të grupit kriminal “Çopja”.
Ish-gjyqtarja e Elbasanit mbahet në paraburgim që nga muaji nëntor të vitit 2024. Në bazë të përgjimeve nga platforma e koduar “SKY ECC”, SPAK thotë se Pajtime Fetahu komunikonte me këtë organizatë, të cilët i ndihmonte në informacione duke ofruar lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale.
Fetahu njihej nga grupi i vëllezërve Franc e Hajdar Çopja, si “Komshija”, ndërsa u kontaktua për të dëmtuar Erion Alibejn, duke favorizuar anëtarët e grupit rival të tij.
Ajo akuzohet për korrupsion, ndërsa dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para kur duhej t’i nënshtrohej procesit të Vettingut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.