Drejtësia

Kërkoi shpalljen të pavlefshme të provave nga celulari i tij, Gjykata Kushtetuese nuk shqyrton pretendimin e Ervis Berberit

Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese nuk i ka shqyrtuar pretendimet e ish-kreut të ARRSH-së, Ervis Berberi se marrja e provave nga celulari i tij ishte e paligjshme dhe kjo i bënte të papërdorshme. Berberi duhet t’i drejtohet për këtë çështje Gjykatës së Shkallës së Parë fillimisht.

Provat e gjetura në telefonin e tij, çuan në disa hetime të njëpasnjëshme, mes tyre edhe atë të zv.kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur për shkelje barazisë në tenderë në Tunelin e Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe dhe e dyshuar për 3 tenderë të tjerë.

Goditja që Berberi i bënte ligjshmërisë së provave të sekuestruara, përfshirë edhe komunikimet në telefonat e tij, mund të prekte edhe hetimet për dosjet e tjera, përfshirë edhe atë të ish-zv/kryeministres Balluku.

Sipas trupës gjykuese, për këtë pretendim Berberi duhet që të ndjekë rrugën ligjore në gjykatat e shkallëve më të ulta dhe më pas mund t’i drejtohet Kushtetueses.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e ish-kreut të ARRSH-së për zbutje të masës së sigurisë “arrest në burg”.

Në qershor 2025, SPAK dërgoi në gjyq dosjen ndaj ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe 21 personave të tjerë, si të dyshuar se janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të barazisë në tendera.

SPAK ka hetuar mbi tetë procedura tenderimi dhe në gjashtë prej tyre ka rezultuar se Berberi, është korruptuar nga tre biznesmenët, Valter Begaj, Brunilda Buli e Ervis Lami, të bashkëpandehur me të, në vlerën e mbi 77 milionë lekëve.

Këto para, janë marr nga ish-zyrtari nëpërmjet kompanisë DAAM shpk, pronësinë e të cilës ia kishte kaluar fiktivisht tre biznesmenëve në 2019.

Përmes hetimeve dhe të dhënave të përftuara nga kompjuterat dhe telefonat e të pandehurve, SPAK thotë se ka dokumentuar që Berberi kishte lidhje dhe kontrollonte këtë kompani duke përdorur financat e saj.

Ndërkohë, hetimet për tetë tenderat, kanë nxjerrë edhe përfshirjen e zyrtarëve të tjerë në shkeljen e barazisë së kompanive në procedurat e prokurimit, duke favorizuar në shtatë raste kompaninë “Net group” SHPK dhe në një rast tjetër “EuroElektra” Shpk.

Për këtë arsye, 18 zyrtarë, janë marrë të pandehur për akuzat e “Shkeljes së barazisë në tendera”. Tre prej tyre edhe për falsifikim dokumentesh në funksion të favorizimit të kompanive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë