Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e bërë nga ish-deputeti i PS, Jurgi Çyrbja mbi ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Ka qenë gjyqtarja e posaçme Etleva Deda ajo që ka marrë vendimin pak ditë pasi SPAK përfundoi hetimet për ish-deputetin socialist i cili u arrestua më 20 tetor të vitit të kaluar dhe akuzohet për vepra të rënda penale si “nxjerrja e sekretit hetimor”.
Ky zhvillim vjen pak ditë pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) përfundoi hetimet ndaj ish-deputetit socialist dhe depozitoi dosjen në Gjykatën e Posaçme me kërkesën për kalimin e çështjes në gjykim.
Po ashtu, janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) edhe dy të pandehurit e tjerë Ahmet Masha dhe Altin Hajri.
Zyrtarisht ndaj Çyrbjes rëndojnë pesë vepra penale: ai ka dy akuza për “Tregim të sekretit shtetëror”, dy akuza për “Përkrahje e autorit të krimit” si dhe një akuzë për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Treshja akuzohet se kanë shpërndarë të dhëna sekrete nga sistemi TIMS dhe kanë dekonspiruar Policinë e Shtetit te persona të shpallur në kërkim, përmes platformave të enkriptuara “SkyECC” dhe “Matrix”.
Bisedat e enkriptuara kanë zbuluar se Jurgis Çyrbja, i ka ofruar dhe premtuar të pandehurit Altin Hajri, se do të ushtronte ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori), në këmbim të mbështetjes elektorale. Ndërsa Hajri, ka pranuar favoret e ofruara prej deputetit, në këmbim të votimit në favor të tij, si dhe angazhimit për t’i siguar vota.
Gjatë hetimit janë faktuar 8 episode gjatë periudhës 1 Maj 2020 deri më 8 Mars 2021, të zbulimit të informacioneve të përcaktuara me ligj si “sekret shtetëror”.
Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 Tetor 2024 me urdhër të SPAK. Ai ka qenë deputet i Kuvendit për dy legjislatura, dhe ka dhënë dorëheqjen nga mandati në Tetor të vitit të kaluar, në kohën kur hetimet e SPAK kishin hyrë në fazën përfundimtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



