Drejtësia

Kërkoi lirimin nga qelia, Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën

Gazeta Si – Apeli i Gjykatës së Posaçme rrëzoi sot kërkesën e Ilir Metës për lirim nga qelia dhe ndryshimin e masës së sigurimit.

Më herët u rrëzua edhe kërkesa e Metës për përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani nga çështja. Florjan Kalaja e konsideron kërkesën të paligjshme dhe sanksionoi avokatin e Metës, Kujtim Cakrani me 100 mijë lekë të vjetra.

Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe tre persona të tjerë.

Dosja “Meta” përfshin hetime për ish-presidentin Meta, Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun.

SPAK i ka përfunduar hetimet në fund të korrikut, ndërsa në gusht dosja u dërgua për gjykim. Vendimi i ardhshëm i gjykatës do të përcaktojë nëse çështja do të kalojë për gjykim të plotë apo do të kthehet për hetime të mëtejshme.

Seanca paraprake është shtyrë për 17 nëntor për arsye se avokati i Metës ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Meta ndodhet në burg prej 1 viti tanimë dhe vazhdimisht i është drejtuar Gjykatave përkatëse me ankimim të masës shtrënguese. Ai u arrestua më 21 tetor 2024 nga agjentët e BKH-së pranë “Kthesës së Kamzës”, ndërsa po shkonte drejt selisë së Partisë së Lirisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë