Refuzohet kërkesa e ish-gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha për kthimin e vlerës monetare të sekuestruar në banesën e saj gjatë kontrollit disa muaj më parë pas arrestimit.
Vendimin e ka marrë Gjykata e Posaçme, pavarësisht nga pretendimet e ish-gjyqtares se paratë e sekuestruara janë pensione dhe kursimet e prindërve dhe u duhen atyre për nevoja jetike.
Në 11 shkurt të këtij viti, pas arrestimit, në banesën e saj, janë gjetur dhe sekuestruar 10 mijë dollarë, që u sekuestruan nga SPAK në cilësinë e provës materiale.
Këto para dyshohet se janë të përfituara në mënyrë jo të rregullt në këmbim të vendimeve që kjo gjyqtare jepte duke favorizuar të dënuarit.
Në seancë ka qenë e pranishme edhe vetë gjyqtarja, e cila mes lotësh ka deklaruar se fëmijët dhe prindërit e saj janë në kufijtë e mbijetesës.
Hoxha u arrestua me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet se me 9 persona të tjerë kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale.
Mes të arrestuarve janë, avokati Aldo Tabaku si edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi.
Gjykata e Posaçme e Apelit ka refuzuar disa herë kërkesën e ish-gjyqtares për një masë më të butë sigurie, pasi ajo argumenton se duhet të kujdeset për fëmijët e mitur dhe babain e sëmurë.
Në korrik të këtij viti, Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për gjyqtaren Enkeleida Hoxha dhe 9 të hetuarit e tjerë të dosjes së korrupsionit në burgje dhe pritet që t’i komunikojë akuzat zyrtare dhe të kërkojë gjykimin e të pandehurve në Gjykatën e Posaçme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.