Drejtësia

Kërkuan heqjen e masës së arrestit, shtyhet seanca për Berishën dhe dhëndrin, avokati i ish-kryeministrit: GJKKO kërkon t’i djegë mandatin

Gazeta Si- Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në 8 mars seancën për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, të cilët kërkuan heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi janë në hetim për privatizimin e klubit sportiv "Partizani".

Gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka ka shtyrë seancën me argumentin se ish-kryeministri nuk e ka specifikuar në prokurë që të përfaqësohet nga avokatët.

Avokatët thonë se kanë paraqitur sërish një kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Gjoka. Avokati i tij Genc Gjokutaj u shpreh për mediat se gjyqtari i vërtetë i kësaj çështjeje është kryeministri Edi Rama.

“Sot kishim seancën e shtyrë nga seanca e kaluar për revokimin e masës së sigurisë arrest shtëpie për Berishën. Gjykata nuk e pranoi arsyetimin që ne ta përfaqësojmë në mungesë.

Në qëllimin e saj që i ka vendosur vetes për të djegur mandatin e Berishës, e shtyu sërish pa asnjë shkak ligjor”, - tha Gjokutaj.

Seanca gjyqësore u shty në 8 mars edhe për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.

Sipas SPAK, Malltezi për të kryer korrupsion akuzohet se ka bashkëpunuar me një nga pushtetarët më të lartë të kohës, e konkretisht ish-kryeministrin Sali Berisha, duke cenuar në këtë mënyrë themelet e shoqërisë madje duke e shtrirë korrupsionin edhe në vetë strukturat më të larta shtetërore.

Ndërkohë, të martën në orën 10:50 një Kolegj Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj e Sandër Simoni do të gjykojë pretendimin e Berishës për të shuar masat e para të sigurisë ndaj tij, atë të “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Ndërsa po nesër në Gjykatën e Lartë pritet të shqyrtohet rekursi i SPAK, që kërkon kthimin e Malltezit në qeli.

Berisha ndodhet në “arrest shtëpie”, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK, për korrupsion së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë