Drejtësia

Kërkoi heqje të masës së sigurisë, GJKKO lë në burg Erion Veliajn

Gazeta Si – GJKKO ka rrëzuar pasditen e kësaj të mërkure, kërkesën për heqje të masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i akuzuar nga SPAK për korrupsion, pastrim parash.

Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Bani, i njëjti që firmosi edhe masën e arrestit me burg në shkurt të këtij viti.

Gjatë seancës, Veliaj mungonte dhe avokati i tij Ermir Beta kërkoi ndryshim të masës. Sipas tij, asnjë nga këto veprime të kryera nuk kanë lidhje me klientin që përfaqëson ligjërisht. Në përfundim të seancës, gjykata deklaroi lënien në fuqi të “arrestit me burg” për kryebashkuakun..

Vendimi u dha këtë të mërkurë gjatë seancës ku SPAK solli informacion dy mujor për hetimet dhe ku mbrojtja kishte kërkuar revokim të masave të sigurisë. Mes veprimeve të kryera, SPAK thotë se janë akt-ekspertime celularësh, kontrolle dhe marrje dëshmish.

Vendimi i dhënë nga gjyqtari Erion Bani, nuk ndryshoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” as për biznesmenin Elman Abule, i akuzuar si i përfshirë në këtë çështje.

Më herët, Veliaj tentoi të kërkonte lirinë përmes Gjykatës së Posaçme të Apelit, por iu refuzua kërkesa. Apeli ka argumentuar se kryebashkiaku i Tiranës për shkak të pushtetit mund të intimidojë dëshmitarë dhe të prishë prova duke rrezikuar hetimin.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në qeli për dyshimet se është përfshirë në korrupsion e pastrim parash, akuza që janë mohuar prej tij në disa reagime publike, por edhe para gjykatës.

Në lidhje me këtë çështje akuzohet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa e cila është nën masat e sigurisë detyrim paraqitjeje dhe ndalim i daljes jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë