Ka ndodhur

Kërkohet burg për ‘Boss-in’ turk të kriptomonedhave, të premten del para gjykatës së Elbasanit

Nga Gazeta Si – Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për “Bossin” e kriptomonedhave, Faruk Fatih Özer, i cili ishte shpallur në kërkim që prej një viti nga Turqia, ndërsa prej asaj kohe dyshohet se fshihej nëpër Shqipëri.

Seanca për dhënien e masës së sigurisë, pritet të mbahet në Gjykatën e Elbasanit ditën e nesërme në orën 09:30.

Nga informacionet e deritanishme rezulton se Faruk Fatih Özer në vitin 2017 ka krijuar një platformë online të quajtur “Thodex” me funksion shkëmbimin e kripto-monedhës. Pasi ka akumuluar afërsisht 2 miliard USD pasuri në asete dixhitale, ky i arrestuar ka mbyllur platformën dhe mediat sociale dhe është larguar nga territori turk më datë 20.04.2021.

Për këto arsye, Faruk Fatih Özer është shpallur në kërkim ndërkombëtar me kartelë të kuqe për llogari të Zyrës Qëndrore të Interpol Ankara.

Autoritetet turke, të cilat kanë lëshuar Urdhërin Ndërkombëtar të Arrestit ndaj këtij shtetasi, kanë bërë të ditur se pas arrestimit të tij, menjëherë do të nisin procedurat për ekstradim në rrugë diplomatike dhe gjyqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë