Analize

Kërkimi i kotë i Europës për udhëheqje franko-gjermane

Për dekada, Franca dhe Gjermania janë njohur si “tandemi” ose “çifti” sundues i Europës, madje edhe “motori” i saj. Së bashku, ata synuan të punojnë për të unifikuar kontinentin. Por, për të grumbulluar metaforat, francezët duan të drejtojnë bashkërisht Euro-Porsche me qira, ndërsa gjermanët këmbëngulin në racionimin e parave të gazit. Siç tregon tani një listë e gjatë krizash – nga Bjellorusia në Nago-Karabak, të dy vendet nuk po ndjekin të njëjtën hartë rruge.

Kjo nuk është për t’u habitur. Siç e ka thënë ish-ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, Franca dhe Gjermania “e shohin botën ndryshe” dhe si pasojë kanë “interesa të veçanta”. E vërteta është se divergjenca franko-gjermane është pothuajse po aq e vjetër sa Bashkimi Europian.

Kjo ndarje i torturon  udhëheqësit aktualë francezë dhe gjermanë – Presidenti Emmanuel Macron dhe Kancelarja Angela Merkel – po aq sa paraardhësit e tyre të mëdhenj, Charles de Gaulle dhe Konrad Adenauer, qyshse  të dy lidhën duart përqark Rinit,  60 vjet më parë. Ata do të shndërronin armiqtë e lashtë,  në miq të besuar. Por shtetet nuk martohen. Ata u binden interesave, jo njëri-tjetrit.

Kur dy fuqi përputhen kaq ngushtë, çështja është gjithmonë: Kush udhëheq dhe kush ndjek? Macron-i  hiperaktiv sigurisht që dëshiron të drejtojë Europën (siç, për të thënë të vërtetën, të gjithë paraardhësit e tij në Pallatin Élysée kanë kërkuar të bëjnë). Ndërkohë,  Merkel hijerëndë vazhdon të theksojë përparësitë gjermane.

Divergjenca aktuale është gjithashtu çështje e personaliteteve.  Për nga karakteri, Macron është e kundërta e Merkel. Ndërsa Macron dëshiron vëmendjen, Merkel, e njohur në shtëpi si Mutti (nëna), lexon nga një skenar i shkruar mirë,  për vazhdimësinë dhe kujdesin.

Vetëm nëse  dhe derisa të shkrihen në Shtetet e Bashkuara të Europës, vendet anëtare të BE-së nuk do të lënë kurrë çështje strategjike jetike, në sundimin e shumicës

Kjo pasqyrohet edhe në politikën e tyre të jashtme. Që kur fitoi presidencën më 2017-n, Macron ka flirtuar në mënyrë të njëpasnjëshme me Presidentin e ShBA-së  Donald Trump, Vladimir Putinin e  Rusisë dhe Xi Jinping-un e Kinës, pastaj u largua i zhgënjyer  nga të tre. Franca thjesht nuk luan në kampionatin e tyre. Në të kundërt, Merkel e ka mbajtur distancën e saj nga Trump, Putin dhe Xi.

Macron ka artikuluar gjithashtu “vdekjen e trurit”  të NATO-s, duke jehuar  përshkrimin e Trump mbi  aleancën si “të vjetruar”. Por një kancelar gjerman do të ishte i fundit që do të fikte  dritat në selinë e aleancës,  në Bruksel. Mbi të gjitha, NATO ka garantuar sigurinë e Gjermanisë për 70 vjet – dhe me një skonto  të madhe.

Mosmarrëveshjet më të fundit franko-gjermane janë në Mesdheun lindor, ku Greqia dhe Turqia – të dy anëtare të NATO-s – kërcënuan të goditeshin për eksplorimin e gazit në ujërat e diskutueshme. Macron ishte i shpejtë në krah të Greqisë, duke dërguar anije luftarake dhe aeroplanë, ndërsa premtoi armë. Muajin e kaluar, ai priti një samit në Korsikë që përfshinte krerët e gjashtë vendeve të tjera anëtare të BE-së mesdhetare,  për të siguruar një kundërpeshë kundër Turqisë. Gjermania nuk ishte atje.

Në vend të kësaj, Merkel murmurit fjalimet rreth një “marrëdhënieje shumë-shtresore”  me Turqinë, e cila duhet të jetë “e ekuilibruar me kujdes”. Interesat gjermane janë të qarta: Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po ruan kufirin Turko-Sirian kundër një fluksi të pakontrolluar të refugjatëve të Lindjes së Mesme të cilët do të drejtohen drejt Gjermanisë,  nëse u jepet një gjysmë shansi. Provokojeni, dhe ai mund të hapë digën e refugjatëve,  sipas dëshirës.

Macron-i  hiperaktiv sigurisht që dëshiron të drejtojë Europën. Ndërkohë,  Merkel hijerëndë vazhdon të theksojë përparësitë gjermane.

Pastaj ekziston shpërthimi aktual midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, për Nago-Karabakun. Macron, Putin dhe Trump kanë nxitur të dy vendet që të negociojnë menjëherë, ndërsa Erdogan ka dalë në krah të Azerëve myslimanë,  kundër Armenisë së krishterë. Gjermania, megjithatë, është thjesht “e alarmuar”, sepse Merkel nuk mund ta përballojë, ta largojë Erdoganin.

Pasi pjesë të mëdha të Bejrutit u rrafshuan nga një shpërthim vdekjeprurës në gusht, Macron u nis drejt Libanit, duke u zotuar të organizonte një konferencë ndërkombëtare të donatorëve,  pa u koordinuar me Merkel. Franca, e cila kontrolloi Levantin pas Luftës së Parë Botërore, dëshiron të mbajë një këmbë në derë për të ruajtur ndikimin e saj rajonal; Gjermania nuk ka interesa strategjike atje dhe instinktivisht i shmanget çdo gjëje që mund të përshkallëzojë. Interesa të ndryshme, skema të ndryshme.

Edhe nëse Franca dhe Gjermania do të marshojnë ndonjëherë  në një hap, të tjerët nuk do të vihen në rresht, sepse ata kanë frikë nga dominimi i dyshes

Gjermania po merr gjithashtu një qasje të drejtpërdrejtë ndaj Libisë, lufta civile e së cilës është zhvilluar në Rusi, Egjipt, Arabinë Saudite, Turqi dhe Francë. Më e mira që Gjermania mund të bëjë në Lindjen e Mesme është të rregullojë një tjetër bisedim paqësor në Berlin, siç është zakon i Gjermanisë.

Kjo është vetëm një listë e shkurtër e ndryshimeve franko-gjermane të politikës së jashtme në muajt e fundit. Por konfirmon modelin: Franca pëlqen të kërcejë, ndërsa Gjermania preferon të rrijë duarkryq. Merkel kohët e fundit shpalli “orën e Europës”  në një “botë agresive”. Por nëse Franca dhe Gjermania nuk do të bashkohen, si mund ta bëjnë  25 anëtarët e tjerë të BE-së?

Arsyeja e pareduktueshme është strukturore. Njëzet e shtatë nuk bëhen një mendje, qoftë në Rusi apo Bjellorusi, ku Presidenti Aleksandr Lukashenko është i bindur në zhdukjen e lëvizjes së demokracisë. Kur të 27 u përpoqën të nxirrnin sanksione kundër Bjellorusisë, Qiproja e  vogël refuzoi,  nëse pjesa tjetër nuk binte dakord të penalizonte  Turqinë për hulumtimin e paligjshëm të gazit në Mesdhe.

Kjo mund të ishte parashikuar. Qiproja është praktikisht një koloni ekonomike ruse dhe Lukashenko është klienti i Putinit. Pas disa javësh grindjeje, Qiproja u tërhoq më në fund. BE tani do të sanksionojë 40 zyrtarë bjellorusë,  një ndëshkim që nuk i jep Lukashenkos asnjë arsye të bëjë valixhet.

BE është fuqia e dytë më e madhe ekonomike në botë, përpara Kinës dhe në letër ka po aq trupa sa Shtetet e Bashkuara. Por vetëm pasuritë nuk e bëjnë një aktor strategjik. Nëse do ta bënin, Zvicra do të ishte një fuqi e madhe.

Sigurisht, asnjë udhëheqës europian nuk do të dështojë kurrë në joshjen e  fatit të përbashkët të Europës. Por në rastin e BE-së, “uniteti” është shpesh e kundërta e “agjencisë”, aftësia për të vepruar si një e tërë. Një bllok prej 27 shtetesh i lidhur me një kërkesë unanime për çështjet që anëtarët i konsiderojnë thelbësore nuk do të jetë kurrë një aktor strategjik, sepse gjithmonë do të drejtohet vetëm nga emëruesi i përbashkët më i ulët,  që të gjithë mund të pranojnë.

Edhe nëse Franca dhe Gjermania do të marshojnë ndonjëherë  në një hap, të tjerët nuk do të vihen në rresht, sepse ata kanë frikë nga dominimi i dyshes. Vetëm nëse  dhe derisa të shkrihen në Shtetet e Bashkuara të Europës, vendet anëtare të BE-së nuk do të lënë kurrë çështje strategjike jetike, në sundimin e shumicës./Project Syndicate

 *Josef Joffe, bashkëpunëtor në Institutin Hoover të Universitetit të Stanfordit, shërben në këshillin editorial të së përjavshmes gjermane Die Zeit.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë