Treg

Kërkesat bien 80%, Covid-19 ngrin tregun e pasurive të paluajtshme

Sabina Veizaj - Me një rritje vjetore prej 6,67 % në tremujorin e katërt të 2019-s, mbi 1,3 mld euro qarkullim në vit, Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka ngrirë si pasojë e emergjencës koronavirus.

“Oferta është relativisht e lartë, siç ka qenë, por kërkesa ka rënë 80%”, tregon për Gazetën “Si”, Ylli Sula administrator i Gazetës “Çelsi”.

“Ata persona që kanë likuiditet përpiqen të përfitojnë nga situata duke arritur marrëveshje drejtpërdrejt me kompanitë e ndërtimit, të cilave iu leverdis të shesin në këtë kohë krize. Pavarësisht se nuk kemi një panoramë të qartë dhe studim të situatës, sepse emergjenca sapo nisi tek ne, flasim me perceptime dhe perceptimet tregojnë që tregu ka ngrirë”, thotë z.Sula.

Ai pohon se çmimet në treg nuk ka rënë sepse, shpjegon ai, Tregu i Pasurive të Paluajtshme ka një parim, që çmimet gjithmonë vijnë duke u rritur dhe rrallëherë pësojnë ulje.

Por, ai shpreson se në muajin maj “bora do të shkrijë”.

Një tregues tjetër që ky treg ka ngrirë është mbyllja e një sërë agjencish imobiliare me peshë në treg dhe me emër.

Juliana Nela nga Re/Max thotë për Gazetën “Si”, se të gjitha degët janë të mbyllura.

Kurse Dritan Leka nga Century 21 thotë se janë hapur ditën e hënë nga 2 javë izolimi të plotë, por “për të frenuar virusin është e nevojshme të mos ketë grumbullime, takime njerëzish". Kemi vendosur të mbajmë zyrat hapur, me numër të limituar; 1 menaxher dhe 2 agjentë për çdo zyrë. Kjo pas 2 javësh karantine të plotë. Dhe bëjmë vetëm punë administrative dhe komunikime me klientët on-line. Më shumë për t'u interesuar nëse çdo gjë shkon mirë për ta”, shprehet ai.

Edhe Leka pohon se si çmimet e shitjeve, ashtu edhe të qirave nuk kanë lëvizur.

Çmimet e qirave të pronave komerciale në Tiranë variojnë nga 2€/m2-50€/m2 në muaj.

Këto nga periferia më e largët e Tiranës dhe prona më pak e vlerësuar, deri tek qendra (ish-Blloku) për pronat më të vlerësuara me pozicione perfekte e fasada shumë të dukshme.

Dyqanet variojnë nga 4-50€/m2, kurse apartamentet 2-20€/m2.

Po ashtu edhe çmimet e shitjes janë ato që kanë qenë para krizës dhe variojnë sipas zonave nga 500 euro/m2 deri në 2000 euro/ m2 e banesa luksi mandej më të shtrenjta.

Leka thotë se ka një numër shumë të vogël kërkesash për qira dhe shitje.

“Tregu ka ngrirë. Në rastet e qirave, kërkesat  vijnë kryesisht nga familjarë. Kurse shitjet, janë investitorët, ata që kërkojnë”- sqaron ai.

Në tremujorin e katërt të vitit 2019, Tregu i Pasurive të Paluajtshme është sektori i tretë në radhë (6,67%) pas Aktiviteteve Financiare dhe të Sigurimit (9,84%) dhe Industria Nxjerrëse; Përpunuese; Energjia; Uji (8,83%)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë