Kërkesat e individëve për të marrë kredi në bankat e nivelit të dytë kanë rënë gjatë tremujroit të parë të 2020-s. Njëkohësisht edhe kriteret e marrjes së kredive janë shtrënguar prej bankave. Këto të fundit parashikojnë një tablo më të përkeqësuar edhe në tremujorin e ardhshëm të vitit për shkak të situatës së krizës së krijuar nga Covid-19 e cila ka krijuar pasiguri, mungesë besimi dhe frikë për të ardhmen tek individët.
Kërkesa e individëve për kredi u perceptua me rënie të theksuar në tremujorin e parë të vitit, si për kredinë konsumatore, ashtu edhe për financimin e blerjes së banesave.

Në tremujorin e dytë të vitit 2020, kërkesa për kredi e individëve pritet të pësojë rënie të mëtejshme, në të dyja kategoritë.
Sipas gjykimit të bankave, pothuajse të gjithë faktorët që ndikojnë kërkesën për kredi nga ana e individëve kanë qenë në kahun negativ në tremujorin e parë të vitit. Kështu, nevojat më të ulëta në financimin e blerjes së banesave dhe të konsumit, si edhe rifinancimit të borxhit, përdorimi më i lartë I burimeve të brendshme të financimit, shtimi i kredive nga bankat dhe institucionet e tjera financiare jobanka, zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave, si edhe rënia e besimit konsumator sollën reduktimin e theksuar të kërkesës për kredi në tremujorin e parë të vitit.
Sipas raportit të vrojtimit të kreditimit të BSH-së, standardet e kreditimit për individët u shtrënguan në tremujorin e parë të vitit 2020. Shtrëngimi I standardeve u aplikua si në kreditë për blerje banesash, ashtu edhe në ato për financimin e konsumit.
Shtrëngimi i standardeve të kreditimit për individët pritet të jetë edhe më i theksuar në tremujorin e dytë të vitit, si në kreditë konsumatore ashtu edhe në ato për blerjen e banesave.
Kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve u shtrënguan në tremujorin e parë të vitit 2020. Shtrëngimi i tyre u arrit nëpërmjet marzheve më të larta të aplikuara mbi kreditë normale, reduktimit të madhësisë së kredisë dhe shtimit të komisioneve.
Shtrëngimi i kushteve dhe termave të kreditimit për individët u diktua nga perceptimi për rrezik të shtuar nga ana e bankave. Faktorët e tjerë që ndikojnë kushtet e termat e kreditimit për individët u raportuan të pandryshuar
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




