Politike

Kërkesa për përjashtimin e deputetëve të PD, Bardhi: Ata që firmosën të tregojnë fakte

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas kërkesës së Partisë Socialiste për përjashtimin e 29 deputetëve opozitarë nga Kuvendi, duke kërkuar që secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandateve për 60, 30 ose 10 ditë të tregojë përgjegjësi dhe të paraqesë prova konkrete.

“Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandatit për 60 ditë, 30 ditë apo 10 ditë duhet të tregohen të përgjegjshëm. Të tregohen të përgjegjshëm dhe të paraqesin fakte”, tha Bardhi.

Gjatë mbledhjes së sekretariatit të etikës në Kuvend, Bardhi tha se nuk është e pranueshme që opozitarët të akuzohen me terma të Sigurimit të Shtetit, ndërkohë që sipas tij, grupi i strukturuar kriminal është qeveria e Edi Ramës.

“Të mos vijnë këtu dhe të akuzojnë me terma të Sigurimit të Shtetit. Na quajnë grupazh, kur në fakt gjykata e ka treguar se grup i strukturuar kriminal është qeveria e Edi Ramës”, vijoi kreu i grupit demokrat.

Ai kritikoi përfshirjen në këtë sekretariat të deputetëve që nuk kanë marrë pjesë aktive në Kuvend, duke e cilësuar këtë si një tentativë për të krijuar një Kuvend njëpartiak dhe për të penguar opozitën në Këshillin e Imuniteteve.

“Këtu ju keni përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend, por keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak. Thojeni këtu: qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktuat mbledhjen në orën 9:00”.

Duke propozuar shtyrjen e mbledhjes së Sekretariatit të Etikës për javën tjetër, Bardhi kërkoi që secili deputet të njihen me provat përpara se të merren vendime.

Mbledhja është shtyrë për të martën në orën 10:00, me qëllim që deputetët të kenë kohë për të njohur dokumentacionin dhe provat për kërkesën e PS-së për përjashtimin e deputetëve të opozitës pas seancës plenare të enjtes, ku sipas PS-së u shfaqën incidente dhe akte dhune në sallë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë