Treg

Kërkesa e ulët nga Kina dhe stuhia në SHBA ulin çmimin e naftës

Çmimet e naftës ranë të martën e 10 shtatorit pas një kërkese më të ulët nga Kina dhe nga një ndërprerje e furnizimit nga stuhia Francine në SHBA. Nga krahu tjetër, risku i mbifurnizimit të tregut vazhdon të ushtrojë presion në treg.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ra me 0.45% brenda ditës në 71.5 dollarë për fuçi. Nafta e Teksasit, ra me 0.55% dhe tregtohet me 68.3 dollarë/fuçi. Të dyja këto kishin fituar nga 1% rritje të hënën.

Garda Bregdetare e SHBA-së urdhëroi mbylljen e të gjitha operacioneve në Brownsville dhe portet e tjera të vogla të Teksasit të hënën në mbrëmje, ndërsa stuhia tropikale Francine po kalonte nëpër Gjirin e Meksikës. Porti i Corpus Christi ka mbetur i hapur por me kufizime.

Stuhia tropikale parashikohet të forcohet ndjeshëm gjatë dy ditëve të ardhshme dhe pritej të shndërrohej në një uragan të hënën në mbrëmje ose të martën në mëngjes, sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve (NHC).

Exxon Mobil tha se e mbylli prodhimin në platformën e saj të prodhimit Hoover në det të hapur, ndërsa Shell ka ndërprerë operacionet e shpimit në dy vende. Chevron gjithashtu filloi mbylljen e prodhimit të naftës dhe gazit në dy nga platformat e tij të prodhimit në det të hapur.

"Të paktën 125.000 fuçi në ditë mund të ulen në prodhim”, parashikojnë analistët./Reuters


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë