Politike

Kërkesa e SPAK për arrestimin e Alqi Bllakos, Kuvendi duhet të vendosë brenda dy javëve

SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e deputetit Alqi Bllako për akuzat e ngritura ndaj tij për çështjen e inceneratorëve. Kërkesa bazohet në një nen të Kushtetutës dhe një të Kodi të Procedurës Penale.

Kushtetuta detyron Prokurorinë e Posaçme që në rastet kur kërkon arrestimet e personave që gëzojnë imunitet të kërkojë autorizim nga Kuvendi. Kërkesa, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale, duhet të shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që e mbështesin atë.

Pas këtij procesi hyn në lojë Rregullorja e brendshme e Kuvendit. Rregullorja thotë kërkesa i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës.

Shqyrtimi i kërkesës vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien, ose mosdhënien e autorizimit, ndërsa seanca për këtë pikë mund të mbahet edhe me dyer të mbyllura, nëse vlerësohet se nga diskutimet mund të dalin çështje sensitive, që mund të dëmtojnë hetimet e Prokurorisë.

Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë