Ajo që Vladimir Putin kishte thënë të mërkurën në Kremlin ndaj të dërguarit amerikan Steve Ëitkoff, deri mbrëmë, për ta thënë me fjalët e Moskovskij Komsomolets, “ishte e mbuluar me mister.
Tani zbulohet se Putin i ka paraqitur Donald Trump-it “një propozim radikal për armëpushim në Ukrainë” që do të parashikonte “lëshime të rëndësishme territoriale nga Kievi dhe një angazhim për njohje globale të pretendimeve të tij në këmbim të ndërprerjes së luftimeve”. Një propozim mjaft joshës sa për ta bindur Trump-in të takohej me Putinin që javën e ardhshme, por për të cilin zyrtarët europianë dhe ukrainas të informuar me telefon kanë “dyshime serioze”.
Sipas një rindërtimi të Wall Street Journal, Putini do të pranonte armëpushimin total nëse do t’i njihej sovraniteti mbi gadishullin e Krimesë të aneksuar që në mars 2014 dhe mbi Donbasin, domethënë rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut që i pretendon që nga shtatori 2022.
Ushtria ukrainase do të duhej pra të tërhiqej nga fortesat që ende kontrollon në rajonin e Donetskut dhe, në këmbim, Putini do të ishte i gatshëm të ngrinte “në ngrirje” vijën e frontit në rajonet jugore të Zaporizhias dhe Khersonit, të cilat gjithashtu u aneksuan zyrtarisht në 2022. Do të përfundonte kështu ajo që Ëitkoff u ka përshkruar bashkëbiseduesve europianë dhe ukrainas si “faza e parë” e parashikuar nga propozimi i Putinit. “
Pas kësaj — shkruan Wall Street Journal — do të ndiqej një fazë e dytë në të cilën Putini dhe Trump do të binin dakord për një plan paqeje përfundimtar që do të negociohej më pas me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky’. Putini do të vendoste në tryezë angazhimin, të sanksionuar me ligj, për të mos sulmuar Ukrainën apo Europën.
Europa, megjithatë, dyshon për mirëbesimin e Putinit. Me gjasë me të drejtë. Sipas një burimi të Kremlinit të cituar nga media e pavarur ruse Viorstka, përveç gadishullit të Krimesë, Rusia nuk mund të heqë dorë nga asnjë prej katër rajoneve të Luhanskut, Donetskut, Khersonit dhe Zaporizhias që prej vitit 2022 i konsideron “territoret e saj të reja”.
Aneksimi i tyre është sanksionuar nga Kushtetuta dhe heqja dorë nga pretendimi për të gjithë territorin e tyre apo edhe vetëm për një pjesë, sipas burimit, do të ishte e barabartë me të thënë se “Federata Ruse vetë po ia kthen” atë që e quan “regjimi nazist i Banderës”. Një kompromis i zbatueshëm, siç kishin paralajmëruar që muaj më parë burime ruse për Repubblica, do të ishte një shkëmbim territoresh.
Megjithatë, Kushtetuta ukrainase ia ndalon Zelenskyt të autorizojë ndryshime territoriale. Rreziku, pra, është që propozimi i Putinit të ketë të njëjtin fat si plani amerikan i paqes që Ëitkoff diskutoi në Moskë më 11 prill dhe më pas e paraqiti në Paris më 17 prill, por që më pas u hodh poshtë nga Kievi dhe aleatët e tij. Refuzimi i planit, siç ka deklaruar një burim ukrainas për Ëall Street Journal, megjithatë “mund t’i shërbejë Putinit, sepse Trump mund ta fajësojë Kievin për vazhdimin e luftimeve. Për më tepër, në atë rast, Shtetet e Bashkuara mund të ndalonin mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe të tërhiqeshin nga procesi diplomatik./La Repubblica/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



