Treg

Kërkesa e lartë për vaj ulliri po ndihmon në shitjen e stoqeve

Nga Megi Iskurti - Vaji i ullirit i 2020-s, i ngecur stok nga mbiprodhimi dhe në afatet optimale të konsumit të tij, tashmë po shitet.

Shtrenjtimi i vajit të lulediellit që nisi gjatë muajit mars po orienton konsumatorët drejt një rikthimi masiv të traditës të përdorimit të vajit të ullirit për gatim sipas përpunuesve.

Në vitin 2020, prodhimi i vajit të ullirit ishte 2.6% më shumë se në 2019, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Nivel superprodhimi i cili nuk ishte arritur që prej vitit 1963, asokohe kur ishte periudha më e begatë e tij. Një vit më pas, prodhimi i vajit ra ndjeshëm për shkak të prodhimit të ulët të ullirit.

Silvana Pinari, kryetarja e Shoqatës së Prodhuesve të Vajit të Ullirit tha për Gazetasi.al se ky mbiprodhim i ngecur stok në shtëpinë e fermerëve, është i mjaftueshëm për të përmbushur të gjithë nevojat e tregut dhe është rasti më i mirë për ata që prej kohësh nuk kanë patur mundësi të shesin vajin.

Silvana Pinari, kryetarja e Shoqatës së Prodhuesve të Vajit të Ullirit

“Afati i përdorimit të vajit të ullirit është deri në 24 muaj pas prodhimit. Më pas ai stazhionohet dhe bëhet i pakonsumueshëm.  Në këtë situatë është shumë më e leverdisshme dhe për konsumatorin si nga çmimi ashtu edhe nga cilësia, por gjithashtu edhe për fermerët dhe kultivuesit që merren me të”, tha ajo më tej për Gazetasi.al.

Mandej Pinari thekson se nëse nuk do të abuzohet me çmimin e shitjes së tij, ky produkt do të zëvendësojë shumë shpejt vajin e lulediellit.

Agjencitë ndërkombëtare paralajmëruan se furnizimet me vaj luledielli, në gjysmën e parë të vitit të kaluar do të kufizoheshin për shkak të rendimenteve të dobëta të lulediellit nga prodhuesit e Detit të Zi.

Rajoni u prek nga kushtet e thata gjatë sezonit të rritjes, duke rezultuar në rendimente më të ulëta sesa pritshmëritë e tregut.

Shkak për rritjen atëherë u bë mungesa e prodhimit të lulediellit në vendet kryesore prodhuese, si Rusia dhe Ukraina që tashmë janë në konflikt dhe po shtuan kosto shtesë në këtë lëndë.

Pas pushtimit të Ukrainës, çmimi i vajit të lulediellit në supermarketet shqiptare u rrit

“Ky është momenti më i mirë për të përkrahur prodhuesit vendas dhe për t’i bërë konsumatorët të ndihen shumë herë më të sigurt në momentin që në tregjet ndërkombëtare mund të ketë luhatje.

Në dyqanet ku tregtohej me pakicë, fillimisht pati një rritje të çmimit të vajit të ullirit. Ai që përdorej për sallatë u shit 320 lekë nga 290 lekë për litër në muajin shkurt sepse u ndikua nga shtrenjtimi i vajit të lulediellit, që është pjesë e formulës për vajin e ullirit të sallatës.

Gjithashtu ndikoi edhe shtrenjtimi i materialit të plastikës dhe të ambalazhimit në tregjet e huaja, tapave dhe energjisë elektrike”, thotë ajo duke shtuar se tani që vaji i lulediellit arriti thuajse në të njëjtin nivel çmimesh me të, ka ardhur momenti që t’i rikthehemi traditës së vjetër.

Supermarketet, dyqanet me pakicë dhe operatorët nga tregu tashmë pohojnë të njëjtën gjë.

Ka një tendencë të konsumatorëve drejt blerjes së vajit të ullirit.

Ylli Hajdini, administratori i “Vaj Borshi", një nga operatorët më të mëdhenj në treg, thotë për Gazetasi.al se gjatë fundit të marsit dhe të prillit, shitjet kanë qenë më të larta krahasuar më dy muajt e parë të vitit.

Ylli Hajdini

Ai shton se kjo situatë u ka shërbyer kultivuesve shqiptarë të ullirit të cilët prej kohësh kanë vuajtur nga markat e huaja që gjenden me shumicë në supermarketet shqiptare.

Pinari nga Shoqata e Prodhuesve thotë se e ka ngritur shpeshherë problematikën se supermarketet tona kanë deri në 5 llojesh markash shqiptare në rafte dhe më shumë se 10 marka të huaja. Ajo shton se tani është momenti që konsumatorët shqiptarë të kuptojnë se në të gjitha rrethanat dhe skenaret, është më mirë që vaji të prodhohet në Shqipëri se sa të importohet nga jashtë.

Vaj ulliri i markave të huaja në supermarket shqiptar

Nga “Shans Market” thonë për Gazetasi.al se ditët e fundit konsumatorët kanë ulur blerjet e vajit të lulediellit duke u nxitur nga ai i ullirit.

Sipas tyre, klientët thonë që duke qenë se tashmë nuk luan kurrfarë diference çmimi mes tyre, është më e shëndetshme që të konsumojnë vaj ulliri dhe të gatuajnë me të, ashtu siç dikur bënin.

Festim Yzi, një nga fermerët që para disa kohësh tha për Gazetasi.al se në tregun vendas kishte ende vaj të prodhuar nga viti 2020, gjë që nuk ishte aspak shenjë e mirë për të, u shpreh tani se të gjithë fermerët duhet të përfitojnë nga kjo situatë e volitshme dhe ta shesin.

“Kanë mbetur pak muaj derisa të vijë tetori që të prodhohet vaji tjetër i ullirit dhe në ndërkohë mund të shesim këtë që fermerët kanë nëpër shtëpi. Le të urojmë që të gjithë ne të nxitemi për të prodhuar më shumë vaj, në një treg që do të jetë i etur e do të ketë kërkesë për të”, thotë ai për Gazetasi.al.

Ndërkohë në problematikat kryesore që shqetësojnë përpunuesit mbeten ende hyrja e vajrave të ullirit me datë të afërt skadence, shitjet nën dorë,mospërputhja e produktit që tregtohet me etiketimin dhe paketimi e shitja e tyre si produkt shqiptar.

Gjithashtu shqetësuese sipas tyre mbeten edhe shitjet e vajit nga persona të paautorizuar dhe kushtet e papërshtatshme higjienike.

 Prodhimi i ullinjve për përpunimin e vajit të ullirit është mjaft i përqendruar në qarqet e Fierit, Vlorës, Elbasanit dhe Beratit, të cilat së bashku përbëjnë më shumë se 80% të prodhimit të përgjithshëm. Në këto rajone ka edhe përqendrim të lartë të  fabrikave dhe përpunuesve të vajit të ullirit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë