Gazeta Si – Arben Isufaj, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”, është shpallur në kërkim nga policia, pasi dyshohet se ka kërcënuar një gjyqtar të Gjykatës së Fierit.
Sipas policisë, 55-vjeçari ka kanosur me jetë gjyqtarin e Fierit, Vladimir Cjapi. Nga kontrollet që forcat RENEA kanë bërë banesat, ambientet dhe automjet që janë në pronësi të 55-vjeçarit kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një palë targa të huaja, jelek multifunksional si i Policisë, 2 pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumenta zyrtarë.
Policia ka shoqëruar në komisariat një person të lidhur me 55-vjeçarin, si person që do t’i shërbejë hetimit. Ka qenë gjyqtari Vladimir Cjapi ai që ka bërë kallëzimin më 12 shkurt, duke pretenduar se i rrezikohet jeta.
Ndërkohë vetë 55-vjeçari Ben Qimja, është shpallur në kërkim për kanosje. “Gjenden dhe sekuestrohen: 1 armë zjarri pistoletë, 1 palë targa të huaja, jelek multifuksional si i Policisë, 2 pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumenta zyrtarë”, – njofton policia.
Isufajt i janë konfiskuar në tetor të 2023, 1 ndërtesë, 1 truall, një dyqan dhe një makinë, ndërkohë që emri i tij ka dalë në skenë gjatë Operacionit Forca e Ligjit (OFL).
Në maj të vitit 2023, GJKKO konfiskoi dhjetëra pasuri të Arben Isufajt të dyshuara si të ardhura nga trafiku i drogës.
Hetimi pasuror për “Ben Qimen” nisi në maj 2021 nga Prokuroria e Posaçme, e cila në kuadër të ligjit anti-mafia, i sekuestroi atij fillimisht 13 pasuri.

Arben Isufaj ishte edhe subjekt i Operacionit Forca e Ligjit dhe iu kërkua të justifikonte pasurinë edhe në vitin 2020.
“Ben Qimja” njihet si njeriu që është përballur disa herë me policinë, prokurorinë dhe gjykatat, ku akuzat kanë qenë për trafik ndërkombëtar droge, heroinë dhe kokainë nga Holanda.
Ai aktualisht është shpallur në kërkim, pasi 11 vite më parë u rrëzua edhe kërkesa e Italisë për ekstradimin e tij drejt vendit fqinj për trafik kokaine nga Holanda.
Isufaj u fut në sektorin e ndërtimit në mesin e viteve 2000, duke u kthyer në njërin prej ndërtuesve më të mëdhenj një Fier.
Ai u arrestua në vitin 2014 pas një operacioni të bujshëm në zonën e Liqenit në Tiranë për t’u liruar disa kohë më vonë dhe tashmë rezulton i padënuar me vendim të formës së prerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.