Një 54-vjeçar nga Kamza ka rënë në prangat e policisë, pasi kanosi bashkëshorten e tij dhe fëmijët e tyre, se do t’i digjte me benzinë dhe më pas i vuri zjarrin banesës.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Tuk Jakova”, një shtetas kishte kanosur për jetën familjarët e tij, kanë arrestuar autorin. Si rezultat është kapur dhe vënë në pranga shtetasi B. D., 54 vjeç”.
Sipas Policisë ditën e djeshme, në rrugën “Tuk Jakova”, nën efektin e alkoolit, 54-vjeçari ka kërcënuar se do të digjte me benzinë fëmijët bashkë me bashkëshorten të cilët ndodheshin brenda banesës në momentin që ai i vuri flakën.
Gruaja e tij, e cila është pajisur me urdhër mbrojtje nga gjykata, ka treguar për median se ajo prej vitesh ka vuajtur nga dhuna që ushtronte bashkëshorti mbi të dhe fëmijët.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.