Gazeta Si – Gjykatësja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, Arnisa Këlliçi, ka marrë një letër kërcënimi me jetë, gjë që ka detyruar këtë të fundit të kërkojë mbrojtje të posaçme nga KLGJ.
Këtë gjë e bëri të ditur vetë gjyqtarja në një letër drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku ajo shprehet se para pak ditësh është kërcënuar me jetë.
“E dashur gjyqtare Arnisa! Keni dy femijë dhe mendoni për ta! Se mund të rroni ju e jo ata dhe kjo është e rëndë! Me respekt!”, – thuhet në letrën kërcënuese anonime.
Nisur edhe nga kërcënimi, Arnisa Këlliçi e ka bërë këtë të shtunë kërkesën pranë KLGJ për mbrojtje të posaçme, pasi i kercenohet jeta e fëmijëve për shkak të detyrës.
Letra në fjalë është dërguar për ekzaminim në policinë shkencore më qëllim përftimin e të dhënave apo gjurmë që mund të cojnë te kërcënuesi.
Arnisa Këlliçi aktuliasht punon si gjyqtare në Gjykatën Penale të Shkallës së Parë, Tiranë.

Letra e gjyqtares:
“Të nderuar!
Para pak ditësh më është bërë me dije nga Kancelari i kësaj Gjykate që kundrejt meje, gjyqtares Arnisa Këlliçi, ka patur një kërcënim me jetë.
Për këtë fakt unë nuk kam prova, por më është bërë me dije se ka një kallëzim të depozituar nga ana e Kancelarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Sot më datë 20.01.2024, më ka ardhur një letër kërcënuese, që me aq sa mund të deshifroj përmban kërcënime për mua, fëmijët e mi dhe familjen time.
Unë nuk mund të atestoj në asnjë moment për vërtetësinë e kësaj letre. Thënë kjo, për çdo eventualitet, unë kërkoj një mbrojtje të posaçme, për aq sa ju e shihni të nevojshme”.

Muajt e fundit janë dyfishuar truprojat speciale që do të ruajnë prokurorët dhe gjyqtarët që kërcënohen nga krimi apo nga të korruptuarit.
Nga 49 forca, struktura e re e Njësisë së Mbrojtjes së Veçantë është kthyet në super-njësi me 103 persona. Njësia e blinduar që njihet ndryshe si RES, u propozua nga drejtori i përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku dhe u firmos nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Truprojat e policisë që do të ruajnë prokurorët dhe gjyqtarët e kërcënuar, kanë detyrë të shërbejnë në të gjithë vendin dhe ky ndryshim bëhet me dije se u aprovua me urgjencë menjëherë pas kërkesave në rritje për marrjen në ruajtje të njerëzve të drejtësisë.
Disa prej tyre, vitet e fundit, krimi i kërcënoi duke iu vendosur lëndë plasëse në makinë, e të tjerë si Doloreza Musabelliu dhe Merita Selimi, u planifikuan nga grupi kriminal i Laert Haxhisë që të sulmoheshin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




