Politike

Kërcënimi nga partia e Rudinës dhe një histori largimesh e rikthimesh në PD

Partia Demokratike po përballet me një situatë që rodhi nga kriza politike, pasi paralajmërimi i krijimit të një force politike nga Rudina Hajdari, “Bindja Demokratike”, mund të shkaktojë një përplasje të fortë brenda forcës politike më të madhe opozitare, e cila tashmë ndodhet jashtë Parlamentit.

Nisma e re natyrshëm krijon frikën se ajo mund të pasohet me largime brenda radhëve të demokratëve për t’iu bashkuar partisë re që pritet të ketë si kryetare, vajzën e liderit të Dhjetorit ’90, Azem Hajdarit dhe ish-nënkryetarin e kësaj force politike, Astrit Patozin.

“Bindja Demokratike” shihet si rrezik së pari për zhvlerësimin që i bën aksionit politik të Opozitës së Bashkuar për të bojkotuar zgjedhjeve lokale. Kjo sepse “Bindja Demokratike” pritet të regjistrohet në KQZ, duke dalë edhe me kandidatë të saj, një pjesë e të cilëve nuk përjashtohet të jenë edhe përfaqësues të PD-së.

Rudina Hajdari dhe Astrit Patozi


Pas krijimit të grupit parlamentar nga Rudina Hajdari, partia e re mund ta kërcënojë seriozisht PD-në, pasi “opozita e re” në Parlament ka në dorë numrat për të realizuar ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ku kërkesa kryesore është ndryshimi i sistemit politik, si dhe mënyra e zhvillimit të procesit zgjedhor, ku po kërkohet që komisionerët e numërimit të votave të jenë apartiakë.
Nga Partia Demokratike deri më tani të vetmet komente lidhur me krijimin e partisë së re, erdhën nga ish-deputeti Enkelejd Alibeaj dhe Enno Bozdo. Gazeta “Si” kontaktoi me eksponentë të tjerë të PD-së, por të tjerët nga radhët e demokratëve janë të rezervuar për të komentuar këtë nismë.
“Asnjë lloj komenti. Në parim mund të them: shumë mirë që pas viteve ‘90 u arrit mundësia që kushdo mendon se mund të formojë parti dhe mund të garojë. Në planin politik, emrat që përmenden, deri dje, ishin njerëz të zgjedhur prej demokratëve. Para se të jesh politikan duhet të jesh i moralshëm. U ke thënë njerëzve se do të jesh përfaqësues i tyre, por morali i përfaqësimit politik mungon në këtë rast”, tha Alibeaj.
Ndërsa Enno Bozdo duke komentuar këtë lëvizje theksoi se “nuk mund të hysh në shtëpinë e opozitës nga dritarja, kur ke dalë nga dera”.
Përgjatë 30 viteve demokraci, Partia Demokratike ka pësuar disa herë largime të figurave të saj për shkak të përplasjeve që kanë pasur me lidershipin e PD-së, udhëheqësit historik të saj, Sali Berisha. Këto zhvillime kanë ardhur në momentet më kritike të PD-së, kur ishte në opozitë, por edhe në pushtet.

Aleanca Demokratike me themeluesit e PD-së
Partia Demokratike sapo kishte ardhur në pushtet në vitin 1992. Në vjeshtë të 1992, fillon edhe historia e largimeve nga kampi blu. Mos ekzistenca e mendimit ndryshe në këtë parti, mos lejimi i mendimit ndryshe në PD, nxitën divergjencat mes deputetëve demokratë. Si pasojë e kësaj nisi lëvizja e re, e kryesuar nga Neritan Ceka. Pas disa përplasjeve u vendos që të krijohet Aleanca Demokratike, ku themeluesit dhe figurat kryesore të kësaj partie për shkak të divergjencave me Sali Berishën shpallën largimin nga PD-ja. Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Arben Imami, Perikli Teta, Arben Demeti, Teodor Keko, Ridvan Pëshkëpia ishin disa nga figurat politike që ikën nga PD-ja.

Tiranë 15.04.91 - Nga e djathta në të majtë deputetët e PD, Azem Hajdari, Gramoz Pashko (duke diskutuar), Neritan Ceka, Arben Imami dhe Sali Berisha në Parlament e vitin e 1992. Foto ATSH.


Pas qëndrimit në opozitë, PAD do të rreshtohej në koalicionin e majtë të PS-në. Pas zgjedhjeve të vitit 1997 drejtuesit kryesorë të AD-së do të ishin ministra si Perikli Teta, Arben Imami dhe Arben Demeti.
Pas disa vitesh bashkëpunim me të majtën, drejtuesit e AD-së ndërkohë do t’i riktheheshin PD-së, pasi tentativës që Berisha ndërmori për të përfshirë të gjithë të larguarit. Kështu do të riktheheshin Arben Imami, Gramoz Pashko dhe Neritan Ceka. Lëvizja e Berishës e ndërmarrë para zgjedhjeve parlamentare të 2005-ës kur ishte në opozitë ishte e bujshme dhe krijoi një vizion tjetër për kreun e PD-së, i cili i po rikthente pikërisht ata që i kishte përjashtuar vite më parë. Si pjesë e kësaj strategjie për përmirësimin e imazhit dhe në dobi të marrjes së pushtetit u afruan edhe të larguar të tjerë si Genc Ruli dhe Rexhep Uka, të cilët kishin ikur nga PD-ja në vitin 1994. Dy ministra të asaj kohe që Berisha i kërcënonte t’i arrestonte, madje duke i kërkuar dhe heqjen e imunitetit në Parlament.
Por në PD ka pasur edhe largime të tjera si ai i Petrit Kalakulës apo dhe Abdi Baletës që themeluan parti më vete, por që nuk patën ndikim në politikën shqiptare.
Arben Imami aktualisht është larguar përfundimisht nga PD-ja, kjo për shkak të divergjencave që pati me kryedemokratin Lulzim Basha. Ai ishte edhe një nga kundërshtarët e Bashës sa u përket ndryshimeve në statut. I larguar nga PD-ja, por edhe nga skena politike është edhe Genc Ruli.

Pollo “djali plangprishës” i PD-së
Pas këtyre largimeve dhe krijimit të Aleancës Demokratike, PD-ja do të merrte një tjetër tronditje atë nga kryetari i PD-së, Eduard Selami. Ai do të largohej nga kjo parti në vitin 1995 kërkoi që të zbatohet statuti ku kreu i PD-së të ishte edhe kryeministër. Një parim që u kundërshtua ashpër nga Berisha, president i vendit, por që kishte në zotërim frenat e PD-së. Kjo solli largimin e tij drejt SHBA-ve, duke jetuar si emigrant. Selami do të rikthehej në vitin 2013 në PD, duke u bërë deputet i kësaj force politike. Pas një beteje për kreun e PD-së me Lulzim Bashën, Selami u largua sërish nga PD-ja.

Shkak i këtyre largimeve masive të PD-së, Genc Pollo shumë shpejt u bë krahu i djathtë i Berishës, duke marrë postin e sekretarit të Përgjithshëm dhe të nënkryetarit të PD-së. Pollo hodhi kandidaturën për postin e kryetarit të PD-së në Kuvendin e kësaj partie në vitin 1999. Por një ditë para zgjedhjeve Pollo tërhoqi kandidaturën duke u shprehur se nuk kishte gjetur kushte për një garë të ndershme midis tij dhe Berishës.

Berisha dhe Pollo dy negociatorët e PD-së për zgjidhjen e krizës në bisedimet e zhvilluara në hotel Rogner

Në vjeshtë të vitit 1999 Pollo krijoi një lëvizje brenda Partisë Demokratike, e cila u quajt Lëvizja Reformatore, që rezultoi e dështuar. Në zgjedhjet e vitit 2001, Pollo krijoi Partinë Demokrate të Re, e cila arriti të merrte 5.2% të votave dhe u përfaqësua në Kuvend me 6 deputetë. Bashkë me Pollon nga PD-ja u larguan dhe figura të tjera si Tritan Shehu, Nard Ndoka, Dashamir Shehi, Leonard Demi, Kreshnik Çollaku, Enno Bozdo e Ferdinand Xhaferaj. Më pas, kjo parti mbeti vetëm me dy deputetë në Kuvend dhe një pjesë e anëtarësisë së saj u bashkua me Nard Ndokën, i cili mori drejtimin e Partisë Demokristiane.

Në vitin 2005, Berisha i shtriu dorën “djalit plangprishës” të PD-së, Pollos, i cili pranoi t’i bashkohet koalicionit politik opozitës. Kushti i Pollos për rikthimin në PD do të ishte prezenca e tij në qeveri, sëbashku me disa prej përfaqësuesve të PDR-së. Pas mandatit të parë qeverisës, Pollo në vitin 2008 do të vendoste që të shkrinte PDR-në me PD-në, ku njerëzit me peshë të kësaj partie u bënë drejtues të sekretariateve të PD-së apo dhe deputetë në zgjedhjet e 2009-ës.

Nga Partia Demokratike u largua dhe Spartak Ngjela, një figurë e rëndësishme, i cili në zgjedhjet e 2005 fitoi një zonë tejet të vështirë në Tiranë, duke mposhtuar Anastas Angjelin. Ai mori postin e kryetarit të komisionit parlamentar të Ligjeve. Por pas një konflikti të ashpër me kryeministrin Sali Berisha u përjashtua nga partia. Bashkëjetesa me këtë parti nuk zgjati më shumë se një viti. Në vitin 2008, Ngjela krijon partinë Partinë Ligj dhe Drejtësi.

Fryma e Re Demokratike e Topit
Çarja e tretë më e madhe PD-së, pas partisë së Pollos, do të ishte krijimi i partisë së ish-presidentit Bamir Topi në vitin 2012. Në mbarim të mandatit presidencial, Topi do të krijonte partinë e re, Fryma e Re Demokratike, ku ndër figurat kryesore të do të ishin edhe Gazmend Oketa, Aleksander Biberaj dhe Sali Shehu, deputetë të PD-së.

Bamir Topi, ish-president dhe kreu i FRPD-së


Kjo lëvizje pak përpara zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës do të kishte ndikim të PD-ja, pavarësisht se mori një numër të konsiderueshëm të votave mbi 30 mijë në rang Shqipërie, FRD nuk arritur të kishte deputet, e kjo për shkak të mos përfshirjes në koalicion politik.
Pas 7 vitesh, Fryma e re Demokratike pësoi një goditje, pasi dy nga figurat kryesore të saj, Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj iu rikthyen PD-së, duke u bërë anëtarë të Këshillin Kombëtar të partisë që udhëhiqet sot nga Basha.
Me largimin e Rudina Hajdarit dhe me krijimin e “Bindjes Demokratike”, PD-ja pritet të pësojë edhe ndonjë largim tjetër. Ndërkaq “garda e vjetër” e PD-së, Jozefina Topalli apo Arben Imami duket se janë në pritje të zhvillimeve të ditës. Por nuk do të ishte aspak e çuditshme sikur edhe ata t’i bashkoheshin kësaj lëvizje politike të re që ka si nismëtare Rudinën, vajzën e liderit të lëvizjes studentore, Azem Hajdarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë