Nga Gazeta ‘Si’– Parlamenti Europian ka vendosur të pezullojë marrëveshjet tregtare midis BE-së dhe SHBA-së, (për çështjet e tarifave dhe tregtisë – Marrëveshja Turnberry).
Siç u tha në Strasburg nga Kryetari i Komitetit të Tregtisë Ndërkombëtare të Parlamentit dhe raportuesi i përhershëm për SHBA-në, Bernd Lange (Socialistë dhe Demokratë), Parlamenti Europian po punon shumë për të përcaktuar qëndrimin e tij mbi dy propozimet legjislative të Turnberry, në mënyrë që të jetë në gjendje të fillojë negociatat me Këshillin dhe të zbatojë angazhimet e BE-së sipas marrëveshjes BE-SHBA.
Sipas tij, Marrëveshja Turnberry do të kishte pezulluar tarifat për të gjitha produktet industriale amerikane dhe do të kishte vendosur një sistem kuotash tarifore për një numër të madh produktesh agro-ushqimore amerikane që hyjnë në BE.
Megjithatë, duke kërcënuar integritetin territorial dhe sovranitetin e një shteti anëtar të BE-së dhe duke përdorur tarifat si mjet shtrëngimi, SHBA-të po minojnë stabilitetin dhe parashikueshmërinë e marrëdhënieve tregtare BE-SHBA.
“Sot, raportuesit në hije të Komitetit Ndërkombëtar të Tregtisë përsëritën angazhimin e palëkundur të Parlamentit Evropian ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Danimarkës dhe Groenlandës. Duke pasur parasysh kërcënimet e vazhdueshme dhe në rritje, përfshirë kërcënimet tarifore, kundër Groenlandës, Danimarkës dhe aleatëve të tyre evropianë, nuk na mbetet alternativë tjetër përveçse të pezullojmë punën për dy propozimet legjislative të Turnberry derisa SHBA-të të vendosin të kthehen në një rrugë bashkëpunimi në vend të konfrontimit, dhe para se të merren masa të mëtejshme”, theksohet ne reagim.
Sipas Lange, komisioni përkatës i Parlamentit Evropian do t’i kërkojë zyrtarisht Komisionit Evropian të përdorë “instrumentin anti-shtrëngim”, të ashtuquajturin “bazukë ekonomike” në arsenalin e BE-së për t’iu përgjigjur tarifave tregtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



