Gazeta Si – Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, është vënë nën hetim për një postim që u cilësua si nxitje për dhunë ndaj presidentit Donald Trump. Ai fshiu postimin dhe kërkoi ndjesë, ndërsa Shërbimi Sekret dhe FBI po hetojnë rastin.
Comey shpërndau në Instagram një foto të guaskave te detit me numrat “8647”, të cilat e shoqërojnë me mbishkrimin: “Formacion i mrekullueshëm guaskash gjatë shëtitjes sime në plazh”.
Numri “86”, sipas një kuptimi të parë te fjalorit “Merriam-webster” përdoret për të simbolizuar eliminimin apo vrasjen e dikujt. Ndërsa Donald Trump është president i 47 i SHBA-ve.
Pas dy atentateve për vrasje vitin e kaluar, të cilave Trump i mbijetoi, shumë figura të larta dhe mbështetës të presidentit reaguan duke e akuzuar Comey-n për nxitjen e dhunës dhe duke kërkuar që të merren masa ndaj tij.
Sekretaria e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e quajti këtë postim një lajmërim të drejtpërdrejtë për vrasjen e presidentit.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe zëdhënësi i shërbimit sekret, Anthony Guglielmi, i cili në një postim në platformën “X” tha: “Ne hetojmë me forcë çdo gjë që mund të merret si një kërcënim i mundshëm kundër personave tanë të mbrojtur. Jemi në dijeni të postimeve në mediat sociale nga ish-drejtori i FBI-së dhe e marrim shumë seriozisht retorikën e tillë. Përtej kësaj, ne nuk komentojmë për çështje të inteligjencës mbrojtëse”.
Drejtori aktual i FBI-së, Kash Patel, reagoi në mediat sociale, duke thënë se byroja ishte në dijeni të postimit të fundit në mediat sociale nga ish-drejtori i FBI-së, James Comey, drejtuar Presidentit Trump. “Ne jemi në komunikim me Shërbimin Sekret dhe FBI do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme”.
Trump i mbijetoi dy atentateve për vrasje vitin e kaluar. Comey shërbeu si drejtor i FBI-së midis viteve 2013 dhe 2017. Ai u shkarkua nga Trump mes një hetimi mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.