Komisioni Europian ka lënë përsëri në listën gri të pastrimit të parave Shqipërinë edhe për vitin 2022. Shqipëria u rikthye në këtë listë në vitin 2020 nga monitorim i bërë nga mekanizmat europiane, Task Forca për Veprim Financiar, FAFT.
Nga kjo listë ka ikur Zimbabve dhe janë shtuar Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga Europa, listohen vetëm vendi ynë, Malta dhe Turqia.
Si faktor me rëndësi për ndalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, FAFT përmend gjurmimin e investimeve nga pronarët përfitues apo ndryshe kompanitë guackë. Fshehja e parave të pista nëpër korporata është një veprimtari e zakonshme.
Një tjetër element në vëmendje ishte rritja e riskut për këto veprimtari nga futja ilegale e emigrantëve dhe shfrytëzimi i pasurive të paluajtshme.
“Pasuritë e paluajtshme janë një zgjedhje popullore dhe e qëndrueshme për investime. Keqbërësit që dëshirojnë të pastrojnë pasuritë e tyre të paligjshme shfrytëzojnë sektorin e pasurive të paluajtshme. Si rezultat, profesionistët e pasurive të paluajtshme kanë një rol të rëndësishëm në parandalimin e keqbërësve nga keqpërdorimi i sektorit të pasurive të paluajtshme për pastrim parash ose financim terrorizmi.”
Për Shqipërinë mbeten përsëri të njëjtat rekomandime në fuqi, si në 2020-n:
Analizë mbi fenomenin e pastrimit të parave, trajtimin në kohë të ankesave, krijimin e mekanizmave efektiv për zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit kriminal të ekonomisë, përfshirë forcimin e kompetencave të autoriteteve kompetente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Të sigurohen databaza me informacione mbi pronarët përfitues.
Të rritet, përmirësohet dhe sofistikohet numri i ndjekjeve penale dhe konfiskimeve për pastrimin e parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë vepra kallëzuesish të huaj ose pastrim parash të palëve të treta.
Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Në këtë listë përfshihen juridiksionet që kanë mungesa strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



