Ngjarje

Keqformimi arteriovenoz shkaktoi vdekjen e 12 vjeçares nga Sukthi. Edhe një 15 vjeçar nga Tirana humbi jetën një muaj më parë në një spital privat

Nga Gazeta ‘Si’- Vdekja e 12-vjeçares nga Sukthi mbrëmjen e djeshme në spitalin rajonal të Durrësit, dyshohet se ka ardhur si pasojë e malformacionit arterovenoz, sëmundje e lindur e cila i ka shkaktuar viktimës hemoragji masive cerebrale.

Burime konfidenciale nga spitali rajonal i Durrësit, i thanë Gazetasi.al se mesditën e së premtes, 12-vjeçarja ishte ankuar për dhimbje të kokës e më pas kishte humbur ndjenjat në shkollë duke pësuar krizë epileptike.

“Menjëherë vajzën e kanë dërguar në spitalin e Durrësit ku është mbikqyrur nga shefja e pavionit të neurologjisë.

Fillimisht, mjekët janë kujdesur që të stabilizojnë gjendjen e vajzës me qëllim që të kryenin ekzaminimet për të mësuar shkakun e krizës epilektike.

Pas kryerjes së skanerit, u duk qartë se kishte pësuar hemoragji cerebrale. Në këto kushte, edhe nëse do të dërgohej në Tiranë, propabiliteti për të shpëtuar do të ishte i vogël për të mos thënë zero”, thanë burimet për Gazetasi.al.

Sipas informacionit më të fundit nga spitali rajonal i Durrësit, malformacioni arterovenose mbetet dyshimi kryesor e megjithatë do të pritet raporti pas kryerjes së autopsisë.

Burimet i thanë Gazetasi.al se ky është rasti i dytë i vdekjes nga hemoragjia cerebrale tek moshat e vogla brenda një muaji.

“Një muaj më parë, një 15-vjeçar erdhi në gjendje të rëndë si pasojë e hemoragjisë cerebrale dhe vdiq brenda 24-orëve. Janë keqformime të enëve të gjakut të lindura të cilat në shumicën e rasteve rezultojnë fatale”.

Mjekët thonë se Keqformimet arteriovenoze (AVM) janë rrjete anormale, të ngatërruara të enëve të gjakut, në të cilat arteriet dhe venat lidhen drejtpërdrejt, duke anashkaluar sistemin kapilar.

Këto anomali vaskulare, AVM-të, mund të ndodhin në pjesë të ndryshme të trupit, duke përfshirë trurin, palcën kurrizore, mushkëritë dhe organet e tjera, por më së shpeshti gjenden në tru dhe shpinë.

 Të kuptuarit e simptomave të lidhura me AVM-të është kritike për diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm.

Ato janë më shqetësuese kur gjenden në tru për shkak të rrezikut të gjakderdhjes dhe komplikimeve të tjera neurologjike.

Simptomat 

Dhimbje koke

Dhimbjet e vazhdueshme të kokës janë një nga simptomat më të zakonshme të AVM-ve të trurit.

Këto dhimbje koke mund të ndryshojnë në intensitet dhe mund të ngatërrohen me migrenë ose dhimbje koke tensioni.

Ndryshe nga dhimbjet tipike të kokës, ato të shkaktuara nga AVM-të mund të mos përgjigjen mirë ndaj qetësuesve të dhimbjes pa recetë.

Konvulsione

Konvulsionet janë një tjetër simptomë e zakonshme e AVM-ve të trurit.

Ato mund të variojnë nga të lehta në të rënda dhe mund të përfshijnë konvulsione, humbje të vetëdijes dhe ngurtësi të muskujve.

 Konvulsionet ndodhin sepse rrjedha jonormale e gjakut në tru prish aktivitetin normal nervor

Deficitet neurologjike

Në varësi të vendndodhjes së AVM, individët mund të përjetojnë deficite të ndryshme neurologjike.

Këto mund të përfshijnë:

Dobësi ose mpirje në gjymtyrë: Shpesh prek vetëm njërën anë të trupit.

Çrregullime vizuale: të tilla si humbja e shikimit ose shikimi i dyfishtë.

Vështirësi në të folurit ose të kuptuarit e gjuhës së folur: e njohur si afazi.

Humbje e koordinimit: Dëmtim i ekuilibrit dhe ecjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë