Kombetarja

Keqardhja e trajnerit Reja: Disa episode na dënojnë, meritonim barazimin me Spanjën

Gazeta Si – Shqipëria u paraqit mirë ndaj Spanjës, edhe pse humbi 2-1, por trajneri Reja ka shprehur keqardhjen për faktin se skuadra bën disa gabime, që nuk po e lejojnë të bëjë atë kapërcimin e madh në kualitet. Zhgënjimi i italianit lidhet me mungesën e vëmendjes në momentet e dy golave të pësuar. Gjithsesi, Reja i ka përgëzuar lojtarët për atë që dhanë në fushë ndaj një kundërshtari shumë të fortë.

“Po të ishim më të vëmendshëm, do të merrnim rezultat pozitiv, që do të na shërbente ne dhe djemve, sepse kanë shpenzuar shumë energji. E kemi dhuruar golin e parë, nuk mund të pësohet ashtu. Pësuam gola për fajin tonë dhe nuk po arrijmë të bëjmë këtë hap para, të bëhemi skuadër më koshiente. Duhet të ndryshojë mentaliteti, nuk mund të dhurojmë gjithmonë.

Broja ne aksion gjate ndeshjes me Spanjen. Gazeta Si, 26 mars 2022

Spanja është ekip i madh dhe luan shumë mirë. Ne arritëm të bënim disa gjëra, por jo me kundërzbritje siç kishim menduar. Na mungojnë detajet, që nuk na lejojnë të bëjmë hapin e rëndësishëm. Ishte paraqitje e mirë, por mund të ktheheshim në shtëpi me një sodisfaksion, të cilin e kishim merituar. Lojtarët kanë bërë mire, nuk mund t’i dënoj këta djem që kanë shpenzuar energji. Edhe taktikisht i mbyllëm mirë.

Janë disa episode që na dënojnë. Meritonim të merrnim barazimin ndaj Spanjës. Po rritemi, por duhet të përmirësohemi, ka gjithmonë ndonjë gabim që ndodh dhe nuk duhet të bëhet. Për të qenë konkurrues, nuk duhen bërë këto gabime, por për fat të keq ndodhin dhe më vjen shumë keq për djemtë. Spanjollët janë agresivë, nuk të japin kohë të marrësh frymë me 3-4 lojtarë që të sulmojnë.

Bëmë disa sulme me Brojën në pjesën e parë, me disa mundësi më të mira pasimi. Nuk mund të prisnim më shumë, të gjithë punuan shumë mirë, nuk mund t’u them djemve gjë, por vëmendja duhet të jetë jo në 90 minuta, por në 100. Kur mungon një minutë, nuk mund të pësosh këtë gol. Në minutat e fundit shihen skuadrat”, – ka thënë trajneri Reja.

Kuqezinjtë kanë edhe një miqësore tjetër, atë me Gjeorgjinë,q ë do ta luajnë më 29 mars në “Air Albania”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë