Sipas një studimi të publikuar së fundmi në revistën “British Medical Journal”, një këngë e reperit amerikan Logic e titulluar si numri i linjës telefonike amerikane kushtuar parandalimit të vetëvrasjeve mund të ketë shpëtuar jetën e dhjetëra njerëzve. Kënga quhet “1-800-273-8255”, dhe u publikua në prill 2017 dhe ka të bëjë me një person që përballet me problemet e tij të shëndetit mendor: së bashku me disa pasazhe televizive të këngës që pasuan, numri telefonik që ishte vendosur për të ndihmuar njerëzit me mendime vetëvrasëse regjistroi rritje të dukshme në thirrje, zbuluan studiuesit.
Hulumtimi i publikuar në “British Medical Journal” mori në konsideratë performancat kryesore të Logic të transmetuara në televizion vitet e fundit, veçanërisht ato në MTV Video Music Awards në gusht 2017 dhe Grammy Awards në janar 2018. Nga krahasimi mesatar i trafikut të linjës së parandalimit të vetëvrasjeve me atë të regjistruar pas këtyre performancave, studiuesit vunë re disa “kërcitje” në thirrje që kishin të bënin me performancën e reperit, pasi ai kishte kënduar “1-800-273-8255” dhe ishte parë nga miliona njerëz.
“Logic” është emri i artit i Sir Robert Bryson Hall II: ai është 31 vjeç dhe me origjinë nga Maryland (Shtetet e Bashkuara). Ai ka publikuar disa disqe të suksesshme dhe pak muaj më parë ka paralajmëruar një projekt të ri me emrin Doc D. “1-800-273-8255” është një nga këngët e tij më të famshme: sipas studimit, në 34 ditë në të cilën kënga kishte marrë vëmendjen më të madhe në media, duke përfshirë ato që pasuan publikimin e saj dhe ato pas dy performancave të rëndësishme, linja telefonike mori pothuajse 10 mijë telefonata më shumë se sa ishte parashikuar: një rritje prej 6.9 për qind krahasuar me atë që pritej.
Krahasuar me trendin historik të vetëvrasjeve, për më tepër, studiuesit vunë re se në të njëjtën periudhë në Shtetet e Bashkuara u regjistruan 245 vetëvrasje më pak se sa pritej (një rënie prej 5.5 për qind). Me shumë kujdes, studimi e lidh këtë ulje me këngën e Logic: përhapja e saj e gjerë dhe ndjeshmëria me të cilën trajton çështjen e shëndetit mendor, sipas studiuesve, ia ka bërë të qartë publikut se ndihma e linjës parandaluese “ekziston dhe është efektive”.
Në këngën “1-800-273-8255”, Logic këndon së bashku me Alessia Cara dhe Khalid. Në videon e këngës shfaqet një djalë i ri homoseksual që thërret për ndihmë Linjën e Parandalimit të Vetëvrasjeve pasi u keqtrajtua dhe mendon të marrë jetën e tij. Është parë më shumë se 430 milionë herë në YouTube. Studimi zbuloi gjithashtu se në 28 ditët pas publikimit të këngës, pati një rritje prej gati 10 për qind në kërkimet për linjën e ndihmës në Google.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.