Politike

‘Kemi qenë Koreja e Veriut e Europës’, Rama:  Jemi vendi me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, nga Panairi i Turizmit në Berlin u ndal tek rritja që ka pasur Shqipëria në turizëm, duke cituar se nga një vend që dikur ishte si ‘Koreja e Veriut’ e Europës, sot kemi rritjen më të madhe si destinacion turistik.

Ndalur në shifra, Rama kujtoi në konferencë 11 mln vizitorët e huaj që erdhën në Shqipëri në vitin që lamë pas.

“Sigurisht, është kënaqësi e madhe të citoj këtu një prej organeve më të mëdha të shtypit në Gjermani, ‘Bild’, që jo shumë larg në të shkuarën na rezervonte artikuj jo fort të këndshëm, ndërsa sot shkruan se ‘Shqipëria nuk është më një destinacion i panjohur, por pritet të bëhet një pikë e nxehtë për ata që duan diellin dhe plazhin për 2025’, por ka më shumë se kaq. Bazuar në Kartën e Turizmit të Kombeve të Bashkuara, deri tani Shqipëria është vendi me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik në botë, po kështu kemi edhe aeroportin me rritjen më të shpejtë në Europë deri më tani”, tha Rama.

Ai gjithashtu ftoi gjermanët të vizitonë Shqipërinë dhe evidentoi se ka pasur edhe rritje të turistëve gjermanë që kanë zgjedhur të vizitojnë vendin tonë.

“Ca vite më parë dikush me tha se dita kur turistët gjermanë do të vijnë në Shqipëri, do të jetë dita kur progresi juaj do të jetë i pakthyeshëm! I thashë, si është e mundur?! Më tha: ‘Sepse turistët gjermanë janë ata më kokëfortët, së pari, që të kuptojnë se ku po shkojnë, por më pas, në momentin që vijnë, vazhdojnë të qëndrojnë si një dëshmi shumë, shumë e fortë e ndryshimit.’

Jemi shumë të lumtur të shohim shifrat në rritje të turistëve gjermanë: nga rreth 120 mijë disa vite më parë, në 374 mijë vitin e kaluar”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë