Futboll

“Kemi 3 skenarë për rikthimin e futbollit”, Kokëdhima: Nuk tërhiqemi nga kërkesat tona

Bojkoti vijon të jetë një temë e hapur në një kohë kur palët, Liga e Profesionistëve, FSHF dhe Qeveria Shqiptare i qëndrojnë strikt qëndrimit të tyre. Në një intervistë dhënë për emisionin “Sport Time” në Supersport”, Presidenti i Apolonisë Koço Kokëdhima, një nga të zgjedhurit e Ligës Profesioniste për të negociuar me qeverinë për plotësimin e kërkesave të klubeve të futbollit, zbuloi edhe tre skenarët e mundshëm të zhvillimit të Superiores, që parashikon mbajtjen pezull të futbollit deri në muajin prill.

“Tre skenarë janë në diskutim. I pari është të mos luhet kampionati fare, deri në prill dhe atëherë të bëhet një sistem grumbullimi dhe të bëhen ndeshjen me vetëm një takim, ku të vendoset gjithçka. Kjo për të mos krijuar problem me botën e futbollit. Nuk do ketë asnjë dënim nga UEFA dhe FIFA, pasi janë në dijeni të kësaj që po ndodh në Shqipëri. Ne kemi marrë rrugë të sigurt, mbështetje morale por edhe më shumë se kaq. Ne nuk do e lëmë Shqipërinë pa u përfaqësues në Kupat e Europës.

Skenari i dytë është të zgjidhen çështjet deri në janar dhe të luhet me dy faza. I treti është që qeveria të tregohet e arsyeshme, të bëjmë një marrëveshje dhe t’i hapim rrugë reformave për të ecur para. Futbolli është duke marrë fund dhe nuk ka pasur asnjë polemikë në mbledhje”.

Më tej, Kokëdhima i është përgjigjur edhe kryetarit të bashkisë së Kukësit, Safet Gjicit, i cili e ka sulmuar publikisht. “Kam dëgjuar disa si Safeti që flasin, por ai nuk është përfaqësues i Kukësit. Gjici është një i ashtuquajtur president nderi dhe Kukësi është mbështetës i bojkotit dhe kërkesave. Ne do e vazhdojmë këtë bojkot deri në fund. Pa një marrëveshje të qartë për t’i dhënë një zgjidhje të plotë kërkesave, unë mendoj se nuk do të luhet më kampionati i Shqipërisë”, u shpreh Kokëdhima.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë