Anëtari i Kryesisë në PD e Rithemelimit, Belind Këlliçi ka deklaruar mosbindja civile e lajmëruar nga Sali Berisha në mbledhjen e strukturave të partisë do të nisë në muajin janar.
“Sot jemi në muajin dhjetor ku do të kemi një vendimmarrje shumë të fortë në Kuvendin Kombëtar të PD-së dhe ku do të caktohet aksioni opozitar dhe agjenda që do të nisë nga janari në vijim. Për mosbindjen civile, mënyrën si do të reagojmë nga janari e vijim do të ketë një aksion shumë të fortë opozitar dhe do të shtrohen disa teza për t’u diskutuar. A do të pranohet një proces tjetër zgjedhor me Edi Ramën kryeministër, kjo mbetet për t’u parë. Është diskutuar dje në mbledhjen e kryesisë së PD teza që do të shtrohet për diskutim edhe në Kuvend, që PD me Edi Ramën kryeministër në zgjedhjet e ardhshme nuk do të futet. Kjo do të thotë që ne do të pamundësojmë qenien e Edi Ramës kryeministër”, tha Këlliçi në emisionin “Debat” në A2CNN.
Por pse nuk ka protesta qysh prej sensibilizimit nga opozita se zgjedhjet u vodhën me 14 maj?
“Çdo gjë do të dojë kohën e saj sepse të pretendojmë se me një të rënë të lapsit dhe një fishkëllim qytetarët të dalin të mbushin sheshet kjo nuk do të ishte normale nga ana jonë. Do të dojë kohën e vetë, është pjesë e një procesi e gjitha. Është një proces i nisur me agjendën për të denoncuar aferën e 14 majit dhe masakrën elektorale. Kaloi ajo fazë. Në shtator ka nisur sesioni i ri parlamentar, me aksionin politik ku pati një unifikim të deputetëve të opozitës, ishin 43 deputetë”, u përgjigj Këlliçi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.