Gazeta Si – Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka dëshmuar këtë të enjte në GJKKO në gjyqin që po zhvillohet në GJKKO për atë që njihet si “afera 5D”, ku nëpërmjet një kompanie fiktive, ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë dyshohet se gllabëronin fondet publike të qytetarëve.
Pas daljes, Këlliçi tha për mediat se u “pyet nga avokatët e drejtorëve që sot janë në burgun e Fierit”.
“Jam pyetur edhe nga gjykata për rrethanat dhe kam dhënë përgjigjet e mia shteruese. Jam pyetur në mënyrë intimiduese për deklaratat e mia publike, më kanë kërkuar edhe llogari avokatët mbrojtës të personave të akuzuar. Më pyetën edhe nëse e fitova apo jo Bashkinë e Tiranës. Por, meqë kjo nuk ishte çështje në themel, përgjigjen po ua jap këtu avokatëve: Më mirë këtu ku jam sot, sesa si fituesi i zgjedhjeve të vitit 2023”, tha Këlliçi.
Deputeti pohoi se u pyet për burimet informacionit që kishte marrë para denoncimit në SPAK. “Përgjigjet e mia ishin shteruese dhe me shumë etikë. Beteja ime politike dhe individuale me ish-kryebashkiakun e Tiranës është mbyllur, por beteja ime politike me modelin e Veliajt do të vijojë deri në fund”, shtoi Këlliçi.
Gjatë seancës, mësohet se Këlliçi iu përgjigj pyetjeve të bëra nga Ardian Leka, avokati i ish-drejtorit Mariglen Qato lidhur me sigurimin e materialeve të cilat ai i kishte dorëzuar në SPAK.
Deputeti nuk zbuloi se kush ia kishte sjellë informacionin, por tha se kishte ardhur nëpërmjet një zarfi dorazi në selinë e PD.
Ai tha se pas një verifikimi të bërë prej tij në QKB, verifikoi se pretendimet që kishte lexuar, qëndronin dhe në atë moment ka bërë denoncimin.
“Duhet kuptuar koha, situata që janë bërë këto dokumenta, pasi kam siguruar të dhëna që i kam parë me interes publik i kam denoncuar. Të dhënat që kam verifikuar që niptet qëndronin, të afërmit qëndronin, kam reaguar dhe denoncuar, kam bërë kallëzim dhe i keni aty”,- tha Këlliçi.
Më tej, theksoi se kishte patur edhe informacione për Arbjan Maznikun, ish-ministrin e Pushtetit Vendor, i cili asokohe ishte nënkryebashkiak i Tiranës.
“Në informacionet që kam pasur, bëhej fjalë për Tushen, Qaton Mollën e më vonë infot që vinin në mos gaboj ishte Mazniku dhe Kacidhja, duhet t’i verifikoj dy të fundit pasi ishin një sërë drejtorësh që përfliteshin që ishin pjesa e kësaj skeme. Media dhe politika, që njihesha me informacione përmes tyre. Skema zbërthehej çdo ditë, emisioneve investigative, se si funksiononte ky rrjet”,- shtoi deputeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



