Futboll

Kejn bëhet bavarez për 110 milionë euro, Totenhemi hidhet në sulm për Lukakun

Gazeta Si – Më në fund ka një akord mes klubit gjerman dhe sulmuesit anglez. Pas ngrirjes së shkëmbimit me Vlahoviç, Çelsi ka gjetur një pretendent të ri për Lukakun, çka bën që Juventusi të largohet gjithmonë e më shumë.

Herri Kejn hap ‘mbrëmjen e vallëzimit’. Më në fund, valsi i sulmuesve për klubet e mëdha të Europës po fillon. Bajern Mynih dhe Totenhemi kanë arritur një akord për transferimin e kapitenit anglez në Bavari. Gati 110 milionë euro për kartonin e lojtarit dhe tashmë ‘topi’ i kalon atij. Megjithatë, në Gjermani e bëjnë të sigurt ‘Po’-në e Kejn.

Herri Kejn drejt Bajernit. Gazeta Si, 10 gusht 2023

Marrëveshja mes aksit Londër-Mynih ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe te strategjitë e klubeve dhe agjentëve në Europë, me Lukakun në qendër të tyre.

Shitja e Kejn detyron Totenhemin të kërkojë një sulmues të ri në merkato. Klubi ka blerë Alejo Veliz, 19 vjeç, që do të thotë se është një investim për të ardhmen. Mehdi Taremi, iranian i Portos, që pëlqehet edhe nga Interi, duket më afër. Portugezët kërkojnë rreth 30 milionë euro dhe Totenhemi nuk e ka problem këtë shifër.

Nigeriani Gift Orban i Genk është një tjetër kandidat, por tifozeria kërkon një emër më të madh, Romelu Lukakun, i cili ndodhet në Londër dhe jashtë planeve të Çelsit.

Belgu ëndërron Italinë dhe konkretisht Juventusin, por bisedimet për shkëmbimin e tij me Vlahoviç kanë ngecur, sepse ka një diferencë të madhe mes Çelsit dhe bardhezinjve për shifrat. Londinezët po shohin mundësi të tjera, një pistë mbetet Arabia, por një pistë e re duket se po hapet pas shitjes së Kejn.

Romelu Lukaku

Totenhemi është një rival direkt në Premier Ligë, por mundësia për të arkëtuar pa e komplikuar shumë situatën me shkëmbime mund ta bindë Çelsi të japë ‘ok’-in për shitjen. Problemi i parë është se Lukaku nuk do të qëndrojë në Premier Ligë, kurse i dyti është se trajneri Postecoglu nuk është një fans i madh i belgut nga pikëpamja teknike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë