Keidi Bare, mesfushori i Kombëtares shqiptare, është bërë menjëherë faktor tek Espanjoli. Pasi ka lënë pas krahëve dëmtimet e fillimit të sezonit, futbollisti fierak ka nisur të lërë gjurmë te skuadra e re dhe ai është përzgjedhur si më i miri për muajin janar nga faqja zyrtare e klubit spanjoll.
Një vlerësim ky për Baren, një nga titullarët më të rëndësishëm të Espanjolit dhe të Kombëtares kuqezi. Gjatë këtij sezoni mesfushori ka luajtur 14 ndeshje me fanellën e Espanjolit në ligën e dytë. Më parë Bare ka veshur fanellën e Atletikos së Madridit dhe Malagës në Spanjë. Në verë për të kishte kërkesa edhe nga klube të kampionateve të tjera, por ai preferoi të qëndrojë në Spanjë.
Edhe trajneri Edi Reja e ka një nga lojtarët kyç të formacionit mesfushorin fierak, i cili ka një përgatitje të lartë fizike dhe ndihmon shumë në të dyja fazat e lojës, mbrojtje dhe sulm. Me formën që gëzon aktualisht, sigurisht që do të jetë një pikë e fortë për kuqezinjtë në ndeshjet e marsit me Andorrën, Anglinë dhe San Marinon, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.