Financa Personale

‘Keep calm and carry cash’, pse BQE rekomandon mbajtjen e parave cash për 72 orë!

Rekomandimet e lëshuara tashmë nga Austria, Holanda dhe Finlanda rekomandojnë të keni 70-100 euro për secilin anëtar të familjes. Studimi i BQE-së: Kartëmonedhat janë një shtyllë themelore gjatë krizave

Gazeta Si – Parat cash sipas BQE (Banka Qendrore Europiane), nuk duhet të zhduken; në fakt, luajnë një rol kyç në kriza.

Nuk është rastësi që në një artikull me titullin emblematik “Keep calm and carry cash” (“Ruani qetësinë dhe mbani para cash”), të lidhur me buletinin ekonomik, Banka Qendrore Evropiane i përcakton kartëmonedhat si “një komponent thelbësor i përgatitjes kombëtare për kriza”, që i shërben “jo vetëm nevojave individuale, por edhe kontribuon në qëndrueshmërinë më të gjerë sistemike”.

Rekomandimi është që gjithmonë të mbani një shumë parash në shtëpi “të mjaftueshme për të mbuluar nevojat thelbësore për afërsisht 72 orë”.

Studimi më pas rekomandon një shumë parash cash midis 70 dhe 100 eurove për secilin anëtar të familjes.

Këto rekomandime janë lëshuar tashmë nga disa qeveri europiane, nga Holanda në Finlandë e deri në Austri.

Në punim – i cili analizon qarkullimin e parave cash në krizat e fundit, duke përfshirë pandeminë, pushtimin rus të Ukrainës, ndërprerjen e energjisë elektrike në Iberi në prill 2025 dhe krizën e borxhit sovran në Greqi – institucioni thekson rolin e “bankave qendrore dhe sektorit privat në sigurimin e një furnizimi të fortë me para cash”.

Sipas studimit, paratë cash, janë “i vetmi detyrim i bankës qendrore i disponueshëm drejtpërdrejt për të gjithë dhe luajnë një rol jo vetëm në transaksionet e përditshme, por edhe si një shtyllë themelore e stabilitetit ekonomik dhe besimit publik”.

Për të dhënë një shembull konkret, deri në fund të vitit 2020, emetimi neto kumulativ i kartëmonedhave në zonën e euros, ishte rritur me mbi 140 miliardë euro.

Një efekt i ngjashëm u pa me pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Në vendet që kufizohen me të dy vendet, lufta çoi në “një rritje prej rreth 36% të emetimit mesatar neto ditor të kartëmonedhave” gjatë muajit të parë.

Menjëherë pas fillimit të konfliktit, emetimi neto ditor në vendet e prekura, arriti një kulm prej 80 milionë eurosh në një ditë të vetme në fund të shkurtit 2022.

“Të gjitha këto episode të ndryshme krize, nxjerrin në pah se dobia e parave cash, intensifikohet ndjeshëm kur stabiliteti kërcënohet, pavarësisht nga natyra ose shtrirja gjeografike e tronditjes apo shkalla e digjitalizimit”, paralajmëron studimi.

“Në përgjithësi, këto raste nxjerrin në pah një trend të rëndësishëm: në kohë stresi akut, publiku shpesh i drejtohet parave cash fizike, si një mjet i besueshëm për ruajtjen e vlerës dhe një mjet elastik pagese, duke theksuar rolin vendimtar që luan përtej komoditetit të tij për përdorim të përditshëm”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë