Moise Kean është talenti më i ri i futbollit italian që po impresionon gjithë botën. Sulmuesi 19-vjeçar, debutoi mbrëmjen e së shtunës me kombëtaren e Italisë, duke u bërë një paraqitje mbresëlënëse. Goli me “të kaltrit” e bëri atë lojtarin më të ri që shënon gol për Italinë, që nga viti 1946, duke hyrë kështu në historinë e kësaj kombëtareje.
Kean është prej disa vitesh pjesë e të rinjve të Juventusit dhe në dy sezonet e fundit ka filluar të inkuadrohet edhe me ekipin e parë bardhezi, ku ka luajtur pak minuta si zëvendësues në disa ndeshje. Përtej vështirësive për të luajtur në ekipin e parë torinez, Kean ia doli që të merrtë një ftesë nga trajneri i kombëtares, Mançini dhe diti ta shfrytëzojë më së miri. Me paraqitjen që bëri në debutim, gjithë Italia dhe Europa po flet për të. Tashmë pritet të nisë një luftë e vërtetë në merkato për 19-vjeçarin, që ka tërhequr vëmendjen e disa prej ekipeve më të mëdha në Europë.

Në këtë pikë, ekipi që duket më i avancuar në interesimin për Kean është Milani. Klubi kuqezi ka nisur sondazhet e para për talentin italian për ta bashkuar atë me Piatek në majën e sulmit, duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Milani është i interesuar, por përballë do të ketë një “mal të madh” për t’u kaluar që quhet Juventus. Klubi bardhezi vështirë se do të dorëzohet lehtë për ta lënë të lirë talentin që e ka në gjirin e saj edhe pse për momentin nuk pritet që t’i jap shumë hapësira në fushën e lojës, të paktën për të sezon, ku po luftohet për objektiva të mëdhenj si kampionat dhe Champions.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




