Ekonomi

KE: Shqipëria rrezikon nga detyrimet e papërfshira në buxhet dhe PPP-të

Ekonomia e Shqipërisë do të zgjerohet në 3 % në 2019, nga 4.1% në vitin precedent, për shkak të motit të thatë që ndikoi në uljen e prodhimit të energjisë elektrike.

Raporti i Vjeshtës i Komisionit Europian e parashikon zgjerimin e ekonomisë së vendit me ulje dhe cilëson si rreziqe kryesore fiskale për ekonominë, ato që burojnë nga akumulimi i mundshëm i mëtejshëm i detyrimeve të qeverisë, të cilat nuk regjistrohen në të dhënat e buxhetit dhe nga detyrimet e mundshme ndaj kontratatve të koncesioneve PPP.

Aktiviteti Ekonomik, sipas raportit më të fundit të KE-së, pritet ti rikthehet rritjes në dy vitet në vijim si pasojë e një rritjeje të vazhdueshme të shpenzimeve të familjeve. Kombinimi i rritjes së qëndrueshme të PBB-së dhe një deficiti buxhetor të moderuar pritet të vazhdojnë të ulin raportin e borxhit publik-PBB, i cili megjithatë parashikohet të mbetet mbi 60% në 2021.

Ngadalësimi i përkohshëm

Në gjysmën e parë të 2019-ës, ekonomia ra në 2.4%, nga zgjerimi 3.8% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky ngadalësim reflekton kryesisht një efekt të fortë nga prodhimi i lartë i energjisë një vit më parë, i cili ra për shkak të motit të thatë dhe formimit të dobët të kapitalit fiks bruto për shkak të përfundimit të punimeve që lidhen me gazsjellësin Trans-Adriatik. Eksportet dhe shërbimet private ishin nxitësit kryesorë të rritjes në këtë periudhë.

Një rënie e vëllimit të mallrave të eksportuara, e shoqëruar me rritjen e qëndrueshme të importeve, ndikoi në një rritje negative të eksporteve neto. Në përgjithësi, rritja ekonomike pritet të jetë e moderuar në rreth 3% në 2019. Ajo parashikohet të rritet më pas, në 3.7% në vitin 2020 dhe 3.6% në 2021, pasi efektet negative do të ulen dhe nxitësit e rritjes së brendshme, në veçanti konsumi privat, do të mbeten të qëndrueshme në kontekstin e rritjes së pagave dhe punësimit, dhe gjithashtu kreditimi do të përmirësohet më tej.
Rreziqet ndaj ekonomisë mbeten prezente për shkak të përkeqësimit të mjedisit të jashtëm dhe klimës së brendshme politike të tensionuar.

Deficiti i llogarisë korente u rrit në 7.4% të PBB-së në gjysmën e parë të vitit 2019, nga 6.8% të PBB-së në vitin 2018, e nxitur nga një deficit tregtar më i madh, megjithë flukset hyrëse të remitancave.

Sidoqoftë, sugjeron raporti, përfitimi i energjisë duhet të kombinohet mes importit dhe prodhimit vendas.

Si rezultat, deficiti i llogarisë korente pritet të jetë gjatë periudhës së parashikimit, në rreth 5% të PBB-së deri në fund të vitit 2021, i mbuluar kryesisht nga hyrjet e Investimeve të Huaja.

Megjithatë, rreziqet që mbeten prezente ndaj ekonomisë shqiptare vijnë nga rritja e ngadaltë e partnerëve kryesorë tregtarë të Shqipërisë në BE.

Tregu i punës vijon të përmirësohet

Në gjysmën e parë të vitit 2019, papunësia ka rënë në nivelin më të ulët historik 12%.
Tendencat pozitive të tregut të punës u pasqyruan edhe në rritjen e vazhdueshme të shkallës së pjesëmarrjes në këtë treg, në 69.9%. Rritja e punësimit pritet të vazhdojë me një ritëm të qëndrueshëm, dhe shkalla e papunësisë parashikohet të bjerë më tej, por ende parashikohet të mbetet dyshifrore në 2020 dhe 2021.

Politika monetare

Norma vjetore e inflacionit është regjistruar 1.5% në nëntë muajt e parë të vitit 2019, shumë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë 3%, pasi presionet e brendshme inflacioniste nga rritja e pagave dhe çmimet e ushqimeve u kompensuan nga dinamika e çmimeve të importit.

Me normën bazë të interesit të lekut më të ulët në historinë e bankës 1%, banka qendrore nuk pret që të fillojë normalizimin e qëndrimit të saj aktual akomodues përpara mesit të vitit 2020. Sidoqoftë, inflacioni nën objektiv mund të vazhdojë për më gjatë, duke shtyrë më tej fillimin e ciklit të shtrëngimit.

Pas disa vitesh rritjeje të ngadaltë, huadhënia bankare u rrit në vitin 2019, duke u rritur me më shumë se 6%, me kredi për bizneset e vogla që drejtojnë zgjerimin. Kushtet e favorshme të financimit dhe konsolidimi i sektorit bankar pritet të vazhdojë mbështetjen e aktivitetit të kreditimit në vitin 2020 dhe 2021.

Borxhi publik drejt rënies

Zbatimi i buxhetit u përmirësua në gjysmën e dytë të 2019-ës, me të ardhurat dhe shpenzimet në përgjithësi në përputhje me planin. Deficiti buxhetor pritet të shkojë nën 2% e PBB-së deri në fund të vitit 2019.

Në mungesë të masave shtesë, deficiti parashikohet të kalojë rreth 1.5% të PBB-së në planin afatmesëm. Edhe pse borxhi ëshët drejt rënies, ai parashikohet të mbetet relativisht i lartë, në rreth 62% të PBB-së në 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë