Ekonomi

KE: Ngadalësohet rritja ekonomike e Shqipërisë, ndikim nga recesioni italian

Tregtia relativisht e shëndetshme gjatë 2018-ës, do t’u lërë vend luhatjeve në këtë sektor duke ngadalësuar disi rritjen ekonomike të Shqipërisë përgjatë vitit ku kemi hyrë dhe atij të ardhshmit.

Komisioni Europian ka nxjerrë dokumentin e projeksioneve ekonomike për vitin 2018 dhe sugjerimet për dy vitet e ardhshme për vendet e BE-së dhe atyre që aspirojnë unionin. Raporti thekson se eksporti i energjisë dhe çmimet e karburanteve kanë rritur vlerën e eksporteve në 2018-ën.

Në të njëjtën kohë, citon raporti, kërkesa e brendshme e fuqishme dhe leku më i fortë kanë mbajtur më këmbë rritjen e importeve.

Megjithatë, për KE-në, kontributi i rritjes së eksporteve neto ka qenë lehtësisht negativ, pavarësisht më pak se në 2017-ën.

Komisioni Europian parashikon një efekt negativ mbi eksportet gjatë 2019-ës, kur do të ndërmerren vendime për kontrata të reja investimi.

Në 2019 dhe 2020, rritja e eksporteve parashikohet të ngadalësohet pjesërisht për shkak të efektit të vlerësimit të tyre të vonuar, por kryesisht për shkak të eksporteve më të ulëta të naftës dhe energjisë elektrike. Rritja e importit, i cili është nxitur nga disa projekte të mëdha energjetike gjatë viteve të fundit, thotë raporti, pritet të ngadalësohet më tej në 2019 pasi këto projekte janë afër përfundimit.

Deficiti i llogarisë korente do të vazhdojë të ngushtohet gjatë horizontit të parashikimit në 6% të PBB-së, mbështetur nga një deficit tregtar i përmirësuar në mënyrë të lehtë, vlerësimi i monedhës dhe transferimet në rritje, në veçanti remitancat dhe transfertat zyrtare.

Për KE-në, ngadalësimi i reformave dhe reduktimi i borxhit publik në Shqipëri përbëjnë rreziqe negative për të ardhmen. Një reduktim i ngadaltë i shpallur i borxhit publik do të dëmtonte besimin e ri të tregjeve financiare (70 % e PBB-së më i larti në rajon) dhe do të vendoste në rrezik investimet e infrastrukturës të cilat janë çelësi për ruajtjen e rritjes ekonomike bashkë me furnizimin me energji. Një ngadalësim i reformave mund të reduktojë kërkesën private, ndërkohë që eksportet mund të vuajnë nga rritja më e ulët se parashikimi me partnerin më të madh tregtar të Shqipërisë, Italinë e cila po përjeton recesion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë