Presidentja e re e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen, u zotua se së shpejti do të nisë një marrëveshje të gjelbër për Europën, duke kërkuar t’u bëhet ballë pasojat nga ndryshimet klimaterike. Secili prej vendeve anëtare ka sfidat e veta përsa u takon këtyre pasojave, ndërsa në Shqipëri, një ndërhyrje urgjente sipas specialistëve nevojitet në drejtim të erozionit. Sinoptikania Rezarta Xhakollari shpjegon për Gazetën “Si” se këtë proces natyror (erozionin), aktiviteti njerëzor e ka rritur me 10-40 herë.
“Bujqësia e bazuar në teknologjinë e pesticideve, shpyllëzimi, ndërtimi i rrugëve të reja, ndryshimet klimatike dhe zgjerimet urbane janë faktorët më spikatës të këtij aktiviteti që stimulon erozionin qe ndikon ne ndryshimin e klimës se vendit tone,” shpjegon Xhakollari.

Ndërkaq, kur Von der Leyen foli për kandidaturën e saj në Parlamentin Europian, shpjegoi se propozon një bankë të qëndrueshme investimesh në Europë, për të nxitur sa më shumë investime në energjinë e rinovueshme dhe masa të tjera gjatë viteve të ardhshme.
Marrëveshja e “gjelbër” që Von der Leyen premtoi se do të vihet në zbatim brenda 100 ditëve të para të postit të saj, synon që BE të neutralizojë karbonin deri në vitin 2050, duke u balancuar nga masat e gjelbërta si mbjellja e pemëve.
“Do të thotë ndryshim dhe të gjithë duhet të kontribuojmë, në mënyrën se si secili prej nesh udhëton dhe jeton. Emetimet duhet të jenë një çmim që ndryshon sjelljen tonë,” u shpreh ajo në fjalimin e saj.
Ajo shtoi se synimi aktual i BE për të ulur emetimet e karbonit me 40% deri në vitin 2030 nuk ishte e mjaftueshme. Sipas saj shifrat duhet të arrijnë deri në 55 për qind ose 50 për qind.

Një tjetër premtim nga zonja Von Den Leyer ishte se do të nxiste BE që të luajë një rol më të madh në mirëqenien sociale të vendeve, për të trajtuar varfërinë dhe theksoi se në të njëjtën kohë do të zhvillonte edhe më shumë të drejtat e grave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





