Politike

KE legjitimon protestën kundër rritjes së çmimeve

Komisioni Europian thotë se protestat e qytetarëve shqiptarë mbi rritjen e fortë të çmimeve janë legjitime. Deklarata e KE-së ka mbërritur si reagim pasi Kryeministri Edi Rama tha se ‘një zyrtar në Bruksel i kishte thënë se protestat po i shërbenin Rusisë dhe Kremlinit’.

Rama vendosi edhe pikëpyetje mbi organizatorët e vërtetë të protestës, pas të cilës ka nënkuptuar disa herë se qëndron Sali Berisha dhe Ilir Meta.

“Qytetarët në Shqipëri, ashtu si edhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor dhe përtej rajonit kanë të drejtën legjitime që të shfaqin shqetësime mbi rritjen e çmimeve të naftës dhe ushqimeve”, thotë Komisioni Europian në përgjigje të një pyetjeje të adresuar nga Exit.

Komisioni u bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese që të respektojnë standardet e BE-së mbi të drejtën e tubimit paqësor, të mbrojnë grupet dhe shtresat më të brishta të shoqërisë, duke kujtuar se këto parime janë kërkesa kyçe për procesin e anëtarësimit dhe vëzhgohen me kujdes nga ana e Brukselit.

“Të gjitha aktorët e përfshirë duhet të tregojnë qetësi dhe vetëpërmbajtje në maksimum”, thotë KE.

Komisioni deklaron se arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve është agresioni rus në Ukrainë dhe jo sanksionevet e vendosura nga Perëndimi ndaj Moskës, sanksione të cilave u është bashkuar edhe Shqipëria.

Komisioni konfirmoi deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, që tha në Tiranë, se në rast se BE do të hartojë një pakete financiare dhe ekonomike për përballimin e pasojave të luftës ajo do të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor.

“BE do të vazhdojë të mbështesë partnerët e vet në Ballkanin Perëndimorë në zhvillimin gjithpërfshirës dhe të qëndrueshëm ekonomik, sidomos në përgjigje të ndikimit social-ekonomik të luftës”, vijon reagimi i KE.

Qytetarët shqiptarë protestuan për një javë me radhë dhe protestën e radhës kombëtare e kanë thirrur për paraditen e së shtunës për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve. Kërkesat e protestuesve janë anulim i përhershëm i taksës së qarkullimit, pezullim i përkohshëm i akcizës për karburantet dhe miratimin e ligjit për minimumin jetik.

Rama ka këmbëngulur se asnjë taksë nuk do të ulet hiqet apo ulet nga nafta. Ai e mbron këtë qëndrim duke deklaruar se paratë e mbledhura nga taksat mbi karburantet përdoren për të mbrojtur familjet dhe biznesin e vogël nga rritja e çmimit të energjisë, që sipas Kryeministrit aktualisht mbulohet në masën 80 për qind nga Qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë