Trashëgimi

K’cimi i Tropojës në UNESCO, a do t’i mbajë zgjuar pretendimet serbe?

Të therje një kec dhe të lajmëroje fisin matanë malit ishte ‘kcim’, sepse vetë lëvizja e gjymtyrëve dhe gjestikulacioni ishte një lloj ‘kcimi’. Të shkoje në krua për të mbushur ujë, për gratë dhe çikat e Tropojës ishte ‘kcim’. Dhe kështu lindi ‘K’cimi i Tropojës’, kjo valle e cila nuk ka rregulla, nuk ka koordinim dhe as koreografi paraprake.

Nga Gazeta Si- Pranimi i K’cimit të Tropojës si pasuri jo materiale nga UNESCO riktheu dhe njëherë zërat që lidhen me emërtesën sllave të qytetit të Tropojës. Më parë kjo zonë quhej “Malësia e Gjakovës” deri në vitin 1946 ku kjo etnogjenezë u ndryshua me dakordësimin e komunistëve shqiptarë të ardhur tashmë në pushtet dhe atyre jugosllavë si aleatë kryesorë. Prej disa vitesh, qarqet intelektuale të Tropojës përpiqen që nëpërmjet nismave konkrete të bëjnë të mundur rikthimin e emërtesës së para 1946-tës. Pranimi i K’cimit të Tropojës në Unesco me emërtesën aktuale ka ngritur një tjetër problem, atë të ndërkombëtarizimit të një toponimi jo shqiptar.

Vetë emërtimi ‘K’cimi i Tropojës’, një emërtim serb që shoqëron një valle shqiptare i pranuar dhe dokumentuar nga një organizatë botërore, sipas tyre krijon konfuzion i cili në një të ardhme mund të jetë një pretendim. Por lind edhe pyetja, si do të shkohet sërish në UNESCO nëse toponimi Tropojë zëvendësohet me Malësia e Gjakovës? Kjo është pyetje që për momentin mbetet pa përgjigje!

Çfarë veçantie ka K’cimi i Tropojës?

Një ndër elementët identifikues të Tropojës është K’cimi i Tropojës. Hapat e hedhura me kujdes dhe pavarësia e secilit valltar që lëvizjen e këmbëve dhe të duarve i kryente me përpikmëri, më kuriozon të kuptojmë se çfarë e bën  të veçantë këtë kërcim, sepse secila lëvizje është pjesë e një qëmtimi apo impulsi personal që buron së brendshmi. Këtë veçanti të K’cimit të Tropojës së fundmi e pranoi edhe UNESCO (Organizata për Shkencë, Edukim dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara.)  Pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në Asuncion, Paraguaj, “K’cimi i Tropojës” u bë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Vetë emërtimi Tropojë, i pranuar dhe dokumentuar nga një organizatë botërore, krijon edhe konfuzion mes popujve.

Një emërtim serb që shoqëron një valle shqiptare. Prej këtu buron dhe shqetësimi. Po si ka lindur k’cimi i Tropojës?

Deli Metaliaj, një ndër valltarët e ansamblit të Tropojës rrëfen për Gazetasi.al se K’cimi i Tropojës nuk lindi si ide dhe as në një paracaktim me kusht që vendos se si do të kërcehet dhe se çfarë lëvizjesh do të ndiqen.

“Gjithçka që kishte të bënte me jetën e malësorit ishte k’cim”, thotë Deli Metaliaj, i cili nuk e fsheh dhe entuziazmin teksa rrëfen në telefon të gjithë procesin.

“Të therje një kec dhe të lajmëroje fisin matanë malit ishte k’cim, sepse vetë lëvizja e gjymtyrëve dhe gjestikulacioni ishte një lloj k’cimi. Të shkoje në krua për të mbushur ujë, për gratë dhe çikat e Tropojës ishte k’cim. Dhe kështu lindi K’cimi i Tropojës, kjo vallë e cila nuk ka rregulla, nuk ka koordinim dhe as koreografi paraprake.  Secila prej çikave kërcen në mënyrën e saj pa asnjë komunikim verbal mes tyre. Pra Kcimi i Tropojës ishte një mënyrë jetese e diktuar nga pasioni dhe aftësitë individuale”, thotë Metaliaj.  

Viti 1957 shënjoi pikën më të lavdishme të këtij k’cimi “formal”. Pesë çika nga Tropoja e kërcyen K’cimin e Tropojës në Festivalin botëror të valleve në Moskë duke përfaqësuar Shqipërinë dhe fituan çmimin e parë. Me tu kthyer në Shqipëri, K’cimi i Tropojës fitoi të tjera përmasa. Dhe këtu nisi transformimi i k’cimit i cili nga një koordinim lëvizjesh tërësisht pa rregulla, u shndërrua në një valle me koreografi duke e zhbërë kështu për shumë vite natyrshmërinë e k’cimit.

Më vonë ky k’cim u elaborua dhe nën një version tjetër, si valle koreografike dhe mori një tjetër emër, Vallja e Rugovës, emërtim të cilin koreografi Skënder Haklaj e hedh poshtë me këmbëngulje.

Ai sqaron se vallja e Rugovës është krejtësisht e ndryshme nga k’cimi i Tropojës, si nga melodia por dhe nga koordinimi apo moskoordinimi i lëvizjeve. Skënder Haklaj është një prej koreografëve të parë të ansamblit të Tropojës i cili prej dymbëdhjetë vitesh ka mbledhur të dhëna, shkrime, studime, fotografi dhe video autentike të k’cimit të Tropojës. Më pas ai sqaron se në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës u arrit të ngrihet një grup pune që në fund konkretizoi dhe dosjen përfundimtare. I emocionuar, ai thekson se “kjo është puna e dymbëdhjetë viteve dhe mundi i një jete. Sepse në jetën time, nuk kam ditur të bëj gjë tjetër përveçse të kcej këtë valle”. 

K’cimi i Tropojës si k’cimi i botës

Pas marrjes së titullit “Nderi i kombit” dhe “Kryevepër e trashëgimisë kulturore shqiptare”, K’cimi i Tropojës tashmë hyn dhe në Unesco si pasuri jo vetëm e Shqipërisë por e gjithë botës. Debatit se a do të quhet Malësia e Gjakovës apo Tropojë, duket se i jep fund ajo çka më pak e presin malësorët, vallja. Tashmë K’cimi i Tropojës, nuk i përket më vetëm Tropojës apo Malësisë së Gjakovës, por mbarë kulturës botërore, si një valle e cila identifikon një popull, qoftë dhe me probleme toponimike.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë