Mentor Kasa – Që prej 28 tetorit, kur në Twitter vendosi shkurtimisht reagimin e parë për ngjarjen në Bularat, ku forcat RENEA vranë në një shkëmbim zjarri ekstremistin grek, Konstantinos Kaçifas, Edi Ramës në rrjetet sociale i janë shtuar një grup ndjekësish “dashakeq” grekë.
Në postimin e 28 tetorit, Kryeministri ftonte fqinjët që të ruanin qetësinë dhe të falenderonin Zotin që në këtë ngjarje asnjë jetë e pafajshme nuk humbet.
Kjo deklaratë e shefit të Qeverisë shqiptare u mor, u “përpunua” dhe u përdor nga disa media greke dhe nga politikanët ekstremistë e nacionalistë si një ‘sfidë’ e hapur ndaj Athinës.
Në ditët që pasuan, Greqia vloi me artikuj e emisione, që mbysnin të vërtetën e vrasjes në Bularat dhe Konstantinos Kaçifan e quanin “hero që ra vetëm sepse ngriti flamurin greke në të ashtuquajturin vorio-epir”.
Ditët kaluan dhe gjërat ranë në qetësi, deri një ditë më parë, kur Bularati u vendos sërish në qendër të mediave shqiptare e greke, që transmetuan drejtpërdrejtë ceremoninë mortore të ekstremistit 35-vjeçar.
E vënë në dijeni se në këtë ceremoni do të merrnin pjesë elementë ekstremistë grekë, Policia shqiptare ushtroi kontrolle të imtësishme në Kakavijë duke kthyer pas 44 persona dhe ndaluar simbolet provokuese me flamuj të të ashtuquajturit vorio-epir.
Por, ekstremistët ja kishin dalë mbanë që të kalonin ‘sitën’ kufitare dhe në Bularat u shpalosën flamuj provokues me mbishkrime “Vorio Epiri është Greqi”, shoqëruar me thirrjet raciste “Vritini qentë shqiptarë”.
Për të shmangur incidentet, Policia e Shtetit ishte vendosur në një distancë të largët nga fshati, por ky vendim, nisur edhe nga thirrjet që u dëgjuan kanë ngjallur pakënaqësi tek një pjesë e madhe e opinionit publik. Shumë prej ndjekësve të Kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale i kanë shprehur mosdakordësinë për vendimin për të mos ndërhyrë me forcat e sigurisë.
Një pjesë e komentuesve e cilësojnë “fëlliqje” si shtet dhe kërkojnë nga Kryeministri që të ndërhyjë. E njërit prej tyre, Edi Rama i ka kthyer përgjigje, ku mbron vendimin dhe qorton me një gjuhë të ashpër ekstremistët grekë që hodhën parrulla antishqiptare në tokën shqiptare.
“Shteti ynë s’lufton as me arkmorte dhe as me provokatorë varrimesh. Kush erdhi për të provokuar, hyri, turpëroi veten e flamurin e tij dhe iku. Patriotizmi nuk është të urresh tjetrin e gjuhën e tij, po të duash vendin e gjuhën tende. Shqipëria nuk “flliqet” nga ca të pagdhendur, që jetojnë si hiena e këndojnë si korba! Janë qënie të mjera që përdhosin të vdekurin që medemek respektojnë dhe ulin dinjitetin e flamurit të kombit të tyre – një komb që i ka dhënë shumë njerëzimit; një popull që s’ka qenë e s’mund të jetë kurrë armiku ynë; një vend ku shqiptarët kanë gjetur strehë, njësoj siç kanë gjetur grekët strehë tek ne dhe që edhe ai, si çdo vend ka taksiratin të ketë derrat e gomerët e vet”, shkruan Rama.
Qartazi, Kryeministri kërkon që me gjuhën e përdorur nga grupi i ekstremistëve në Bularat, Kryeministri kërkon që të mos identifikohet i gjithë populli grek. Por, ky reagim i tij, ndonëse i shfaqur mes rreshtave të komenteve në Facebook është marrë dhe “ripërpunuar” nga një pjesë e mediave të vendit fqinj.
“Deklaratë joetike e Edi Ramës. Korban, derra dhe gomerë që shkuat në funeralin e Kaçifas; shteti ynë nuk lufton me arkmorte dhe as me provokatorë varrimesh”. Kështu e interpreton portali newsbomb.gr këtë deklaratë, ku në brendësi të lajmit, nëse mund të quhet i tillë flet për “grekë që kënduan këngë patriotike dhe përcollën për në banesën e fundit, Nikos Kaçifasin. Pra, për këtë media greke, sloganet “Vritini qentë shqiptarë” dhe mbishkrimet “Vorio Epiri është Greqi” janë “patriotike”.

“ProtoThema” e pasqyron me një gjuhë më të zbutur. Në artikull ajo nuk e interpreton deklaratën e Kryeministrit Rama, por as nuk pasqyron koret raciste dhe sloganet ekstremiste të hedhura nga një grup pjesëmarrësish në varrim.
Por, në arkivën e kësaj gazete gjen artikuj të tjerë për këtë temë. Njëri prej tyre është ai që e trefishon numrin e pjesëmarrësve në varrimin e Kaçifasit, ndërsa një tjetër flet për mënyrën “se si policia shqiptare po kërcënonte vazhdimisht minoritarët e Bularatit duke i shoqëruar në komisariat pa asnjë shpjegim”.

“To Vima”, në dy artikuj të ndryshëm, pasqyron fillimisht deklaratën e Edi Ramës dhe më pas edhe të Sali Berishës. Tek të dyja deklaratat, edhe kjo media greke gjen “provokim” dhe “ofendim” të popullit grek. Por, në asnjë fjalë nuk përmenden koret raciste të Bularatit. Thuajse në mënyrë identike i ka pasqyruar edhe gazeta tjetër, “Ta Nea”, që përcjell edhe reagimin e Giorgos Koumoutsakos, eurodeputet grek dhe anëtar i Demokracisë së Re. Ky i fundit qorton qeverinë e vendit të vet për heshtjen dhe kërkon një koordinim kombëtar për “t’iu përgjigjur agresionit të palës shqiptare”.
Kritika për qeveritë e të dyja vendeve pati edhe Sali Berisha në postimin e tij, ku dënonte ekstremistët grekë. Nisur nga kritikat nga të dyja anët e kufirit shtetëror, Edi Rama ka përcjellë po përmes rrjeteve sociale një tjetër reagim.
Por, për Partinë Demokratike, kritikat nga të dyja anët e kufirit janë pasojë e veprimeve dhe reagimeve që vetë Kryeministri Edi Rama. Tritan Shehu i quan të papërshtatshme deklaratat e tij pas 28 tetorit, kur u vra Konstantin Kaçifas.
“Kryeministri e shoqëroi me disa deklarata aspak të përshtatshme dhe jo etike, qoftë si reagim të tij edhe ndaj atyre prononcimeve të matura e vizionare, që në atë mori ekstremizmash kërkuan të vendosnin arsyen. Pra fajin Kryeministri duhet ta kërkojë në radhë të parë te vetja e politikat e tij, e jo tek “qiriet Kadrinj”, shkruan Shehu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




