Ka ndodhur

Kavajë / Gjendet një veliere në Karpen, sekuestrohet armë e fishekë! Dyshohet se drejtuesi ka rënë në det

Nga Gazeta Si- Shërbimet e Policisë Kufitare gjatë monitorimit të zonës bregdetare kanë gjetur një veliere që bënte lëvizje të pakontrolluara në fshatin Karpen të Kavajës.

Gjatë kontrollit të kryer në velierie efektivët e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë tip “Walther”, 1 krehër pistolete, municion luftarak, 2 celularë, 1 laptop dhe dokumentet e mjetit lundrues. Ndërsa po ashtu kanë gjetur edhe një pasaportë gjermane me gjeneralitetet F. R., 85 vjeç.

Sipas informacioneve paraprake uniformat blu në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n thonë se mjeti lundrues është nisur nga Bari, Itali, me drejtim Kroacinë, fillimisht me lundrim normal dhe më pas me lëvizje të çrregullta.  

Dyshohet se drejtuesi i mjetit lundrues mund të ketë rënë në det si pasojë e dallgëve të forta dhe motit të keq.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë monitorimit të zonës bregdetare, kanë konstatuar një mjet lundrues veliere që bënte lëvizje të pakontrolluara, i cili më pas ka ngecur në rërë disa metra larg nga bregu, në territorin e fshatit Karpen.

Pas këqyrjes paraprake, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Spille kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në bordin e mjetit lundrues.

Gjatë kontrollit në veliere, janë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë tip “Ëalther”, 1 krehër pistolete, municion luftarak, 2 celularë, 1 laptop dhe dokumentet e mjetit lundrues.    

Gjithashtu, në mjetin lundrues, është gjetur një pasaportë gjermane me gjeneralitetet F. R., 85 vjeç.

Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n paraprakisht rezulton se mjeti lundrues është nisur nga Bari, Itali, me drejtim Kroacinë, fillimisht me lundrim normal dhe më pas me lëvizje të çrregullta.   

Grupi hetimor i ngritur për këtë rast po bashkëpunon me Interpol Tiranën, për verifikimin e të dhënave të pasaportës që është gjetur në mjetin lundrues, me qëllim sqarimin e rrethanave të këtij rasti dhe përcaktimin e vendndodhjes së poseduesit të pasaportës, i cili dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit lundrues.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se drejtuesi i velieres mund të ketë rënë në det, për shkak të dallgëve të larta të shkaktuara nga moti i keq. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë