Nga Gazeta ‘Si’- Media greke “Kathimerini” ka publikuar një artikull, sipas të cilit, Fredi Beleri do të jetë kandidat për eurodeputet me partinë “Demokracia e Re” e Kyriakos Mitsotakis.
Referuar artikullit, gjatë gjithë javës së kaluar, kjo media shkruante se çështja e Fredi Belerit nuk është mbyllur përfundimisht dhe se është e hapur deri në fund, pavarësisht informacioneve për të kundërtën.
“Deri në mëngjesin e sotëm, 41 nga 42 pozicionet ishin mbyllur, ku e vetmja çështje pezull ishte ajo e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili aktualisht ndodhet në burg në Shqipëri. Pavarësisht ndjesisë së përgjithshme se vendimi ishte marrë, informacionet thonë se Fredi Beleri më në fund do të jetë në listën 'blu' dhe do të shpallet pasditen e sotme", shkruan artikulli.
Kryeministri grek i ishin bërë që në fillim dy propozime të kundërta: njëri të përfshijë Belerin, i cili preferohet nga publiku i djathtë, tjetri që Greqia të mos rrezikojë ta kthejë në një çështje evropiane me përfshirjen e një kryebashkiaku të dënuar në Shqipëri.
Por kundër kandidaturës së Belerit janë shprehur vazhdimisht, sipas burimeve, ministri i Jashtëm Georgios Gerapetritis dhe këshilltarja për politikën e Jashtme pranë kryeministrit grek, Aleksandra Papadhopoulou. Ata kanë thënë se vendosja e Belerit në listën blu për eurodeputetët, do ta kthente këtë çështje nga europiane në dypalëshe me Shqipërinë.
Nga ana tjetër kahu ekstremit të djathtë tek konservatorët i përfaqësuar nga ministri i Shtetit Makis Voridhis këmbëngul për kandidaturën e Fredi Belerit, pasi shohin se partia e ekstremit të djathtë dhe filoruse “Zgjedhja greke” ka dyfishuar përqindjet e saj në sondazhet e fundit.
Partia greke Demokracia e Re shpalli më 22 mars 28 emrat e kandidatëve për eurodeputetë për zgjedhjet të cilat do mbahen më 9 qershor.
Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet vendore të 2023-shit në Himarë, u arrestua më 12 maj, 2 ditë para se të mbaheshin votimet.
Arrestimi u krye pas dyshimeve për kryerjen e veprës penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim.
Sipas policisë, Beleri është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.
Pas vënies në pranga të tij, ka pasur reagime nga Athina zyrtare. Çështja ndaj Belerit dhe insistimi i Greqisë që ai të lejohej të betohej si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, që nuk u pranua nga gjykata, shkaktoi bllokime për Shqipërinë për çeljen e kapitujve në Bruksel.
Ndërkohë, pala shqiptare është shprehur se Beleri po gjykohet nga drejtësia e pavarur shqiptare dhe qeveria Rama do të ruajë distancën duke mos ndërhyrë në këtë çështje.
Në 13 shkurt, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e Fredi Belerit me 2 vite e 6 muaj burg për akuzën e korrupsionit zgjedhor.
SPAK pretendoi se me anë të përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale të kryera ndaj Belerit dhe bashkëpunëtorëve të tij para zgjedhjeve të 14 Majit, si dhe dëshmisë së një personi që zgjodhi të bashkëpunonte me drejtësinë, ka konfirmuar se Beleri dhe shtabi i tij elektoral kanë dhënë para gjatë fushatës elektorale për të siguruar vota.
Nga ana tjetër avokatët e Belerit i konsideruan përgjimet e kryera fillimisht nga Prokuroria e Vlorës si të paligjshme, duke bërë nul të gjitha provat e grumbulluara me anë të këtyre përgjimeve.
Ata po ashtu pretenduan se edhe këqyrja e bërë telefonave që iu sekuestruan të pandehurve në këtë proces, është bërë në mënyrë të paligjshme, duke kërkuar kështu që këto prova të mos merren të mirëqena dhe duke kërkuar pafajësi.
GJKKO e dënoi me dy vite burg
Më tej më 15 mars Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi me dy vite burg Belerin.
Gjatë fjalës së tij, Beleri relatoi një sërë pretendimesh duke theksuar se mbahej në burg padrejtësisht sepse sipas tij edhe kryebashkiakë të tjerë që akuzohen për të njëjtën vepër penale janë duke u hetuar në gjendje të lirë nga SPAK.
Ai pretendoi se është cenuar parimi i një procesi të rregullt gjyqësor, prezumimi i pafajësisë dhe po ashtu, po diskriminohet. Beleri i kërkoi trupës gjykuese të jetë e ndarë nga politika.
“Unë kërkoj drejtësi, më është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor”, mësohet të ketë thënë Beleri, sipas të cilit i është cenuar prezumimi i pafajësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.