Kosova ka evakuuar sot qytetarët e fundit që kishin mbetur të bllokuar mes kaosit në Kabul. Lajmin e dha Ministria e Punëve të Jashtme në Prishtinë.
“Që nga përshkallëzimi i situatës atje, MPJD-ja ka qenë e angazhuar për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës me qëllim të largimit sa më të shpejt nga Afganistani”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Përveç evakuimit të shtetasve kosovarë që gjenden në Afganistan, Kosova pritet të pranojë edhe një numër të afganëve që kanë punuar me forcat amerikane por të cilët do të evakuohen nga Afganistani për shkaqe sigurie derisa atyre të iu përgatiten vizat amerikane.
Mijëra njerëz janë përpjekur të largohen nga Afganistani që kur militantët islamikë të linjës së ashpër e morën kontrollin e kryeqytetit më 15 gusht, duke bërë që Qeveria e mbështetur nga Perëndimi të bjerë.
Qeveritë e huaja po vazhdojnë evakuimin nga Afganistani të qytetarëve të tyre dhe afganëve që punuan me ta, por ka shqetësime në rritje se talibanët po bllokojnë rrugët për në aeroportin e Kabulit.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




