Gazeta Si – Katër shtetas shqiptarë janë arratisur nga rajoni i policisë në Hania të Kretës në Greqi. Sipas mediave lokale, këta shtetas janë të dënuar për vepra të rënda penale.
Shqiptarët ishin dërguar në ishullin e Kretës dhe pritej të çoheshin këtë të hënë paradite në burgun e Ajias në Hania, por mundën të largohen nga rajoni i policisë, duke sharruar hekurat e dritares.
Menjëherë autoritet kanë nisur një operacion kërkimi, por deri tani nuk është bërë e mundur të ndalohet ndonjëri prej tyre. Përveç katër shqiptarëve është arratisur nga rajoni i policisë edhe një pakistanez i akuzuar për disa vepra penale.
Në mediat greke janë publikuar edhe fotot e shqiptarëve dhe pakistanezit që kanë mundur të sharrojnë hekurat e burgut dhe të arratisen.

Olis Thoma Prifti, 43-vjeç, me origjinë nga Dropulli, është një nga personat e arratisur nga burgu në Hania të Greqisë. Një tjetër nga të arratisurit është identifikuar me inicialet Aardian Meta., 32 vjeç nga Divjaka.
I treti njihet si D. F., 34 vjeç i dënuar për “trafik droge” ndërsa shqiptari i katërt raportohet se është një 29-vjeçar shqiptar i njohur me mbiemrin B… Ndërsa i arratisuri i 5-ë, është një pakistanez, i dënuar për vrasjen e tre personave.
Të arrestuarit kishin mbërritur në Chania pas transferimit të tyre, me traget nga Pireu, mëngjesin e së shtunës, 5 shkurt. Katër shqiptarët dhe një pakistanez dyshohet se kanë hyrë në tualetin e qendrës së paraburgimit dhe pasi kanë prerë hekurat nga dritarja me një objekt të mprehtë, janë hedhur një nga një dhe kanë dalë në garazhin e nëndheshëm të Komisariatit të Policisë.
Mungesa e të pestëve është vënë re nga punonjësi i policisë së turnit të mëngjesit në numërimin standard. Deri më tani policia ka mundur të sekuestrojë vetëm furgonin me të cilin dyshohet se u larguan 5 të arratisurit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




