Gazeta Si – Donald Trump nuk e ka përjashtuar asnjëherë mundësinë e kandidimit për një mandat të tretë. Ai e sugjeroi këtë disa herë në mitingjet e tij dhe shumë thanë se ishte vetëm një shaka.
Pas rizgjedhjes së tij në vitin 2024, ai u tha ligjvënësve republikanë: “Unë dyshoj se nuk do të kandidoj më nëse nuk thoni, ‘Ai është aq i mirë sa duhet të krijojmë diçka’” (të gjithë qeshën).
Por për herë të parë të dielën në një intervistë për “NBC News”, presidenti i Shteteve të Bashkuara e bëri të qartë se nuk bën aspak shaka kur flet për një mandat të tretë, duke shtuar se ka “metoda” për të kapërcyer kufirin e përcaktuar në Kushtetutë.
“Shumë njerëz duan që unë ta bëj këtë”, tha Trump. “Por unë mendoj se ka ende një rrugë të gjatë përpara nesh, kështu që për momentin fokusi im është në të tashmen”.
Një mandat i tretë i Trump është makthi për të majtën dhe ëndrra e lëvizjes “Make America Great Again” (ish-strategu Steve Bannon ka folur për të për muaj të tërë dhe në inaugurim kishte nga ata që tashmë shpërndanin afishe për vitin 2028).
Amendamenti i 22-të i Kushtetutës parashikon maksimumi dy mandate për presidencën (pavarësisht nëse janë të njëpasnjëshme apo jo): “Asnjë person nuk mund të zgjidhet në detyrën e presidentit më shumë se dy herë”. Amendamenti u ratifikua në vitin 1951, pas katër mandateve të Franklin Delano Roosevelt në detyrë.
Megjithatë, Ian Bassin, avokat i Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së Obamës, pohon se “kushdo që beson se Amendamenti i 22-të do të përbëjë një formë parandalimi për Trump, jeton në një planet tjetër”.
Ai tashmë po përpiqet të ndryshojë ‘jus soli’ të mbrojtur nga Amendamenti i 14-të; pse do ta konsideronte nenin 22 një pengesë të pakapërcyeshme?
Nëse Trump vendos të përpiqet të qëndrojë në pushtet, faqja e internetit “Politico” ka identifikuar katër rrugë që ai mund të marrë.
Disa duken të pabesueshme, por fakti që ka artikuj gazetash kushtuar temës, është domethënës në vetvete.
Reforma
Rruga e parë: ndryshimi i Kushtetutës. Nevojitet një lëvizje për të shfuqizuar Amendamentin e 22-të. Shfuqizimi është krejtësisht i mundur, siç ndodhi me të 18-in, i cili ndaloi shitjen e alkoolit, por duhet një mbështetje e madhe popullore, e vështirë në një komb kaq të polarizuar sa Amerika sot.
Dy të tretat e të dy dhomave të Kongresit do të duhet të propozojnë një amendament të ri ose dy të tretat e shteteve do të duhet të thërrasin një konventë kushtetuese për të propozuar një të tillë. Pastaj tre të katërtat e shteteve do të duhet të ratifikojnë amendamentin e ri.
Ndërkohë që Trump është i popullarizuar në mesin e republikanëve, është e vështirë të imagjinohet që ai të marrë supershumicën që i nevojitet, edhe pse disa konservatorë duan të provojnë (deputeti i Tenesit, Andy Ogles ka propozuar tashmë një amendament kushtetues për të lejuar që Trump të kandidojë për një mandat të tretë).
Dhe disa shtete “blu” po përpiqen të revokojnë kërkesat “të fjetura” (që datojnë dekada më parë) për një konventë kushtetuese: ata kanë frikë se republikanët do ta përdorin atë për qëllimet e tyre.
Hapësirë ligjore
Rruga e dytë është shfrytëzimi i një hapësire ligjore në Amendamentin e 22-të që mund të lejojë Trump të kandidojë për zëvendëspresident dhe më pas të kthehet si president.
Ata e quajnë atë “skenari Putin-Medvedev”. JD Vance do të kandidojë për president në vitin 2028 me premtimin e qartë se do t’ia kalojë rolin Trumpit.
Në intervistën me NBC, Trump pranon se “kjo është një mënyrë” që mund të ndodhë, “por ka të tjera” (të cilat ai nuk pranoi t’i identifikonte).
Një pengesë mund të jetë Amendamenti i 12-të, i cili ndalon personat që nuk kanë të drejtë për presidencë të jenë të pranueshëm për nënpresident.
Por ka nga ata që argumentojnë se Amendamenti i 22-të nuk e bën Trump të papërshtatshëm për të “shërbyer” si president, por vetëm “për t’u zgjedhur” president.
Mjetet juridike ekstreme
Dy rrugët e fundit janë edhe më ekstreme: kandidimi për një mandat të tretë dhe vënia bast se Gjykata e Lartë nuk do ta ndalojë atë; thjesht refuzon të heqë dorë nga pushteti.
Por ndoshta pengesa më e madhe është që Trump do të ishte 82 vjeç në vitin 2028: a nuk do të preferonte të tërhiqej në Mar-a-Lago?
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




