Gazeta Si – Ai kualifikim për herë të parë në histori në grupet e një kompeticioni europian nuk ishte aspak rastësi. Ballkani, ekipi kampion i Kosovës, sot ka shënuar një tjetër arritje historike. Ka regjistruar fitoren e parë në grupet e Ligës së Konferencës, duke mundur Sivasporin 3-4.
Vetë rezultati flet qartë, nuk ka nevojë për shumë komente. Ballkani ka dhuruar spektakël, ka shënuar plot 4 herë në fushën e Sivasporit dhe e ka merituar plotësisht fitoren, që e ngjit në kuotën e 4 pikëve, në vend të parë në grup falë golaverazhit. Kualifikimi është plotësisht i mundshëm.

Ndeshja nisi me një gol të pësuar për Ballkanin ende pa u mbushur një minutë. Por djemtë e Ilir Dajës reaguan mirë dhe përmbysën gjithçka me golat e dy mbrojtësve të krahut, Thaqit dhe Potokut. Meriton Korenica shënoi edhe golin e tretë.
Në fundin e ndeshjes situata u komplikua dhe turqit barazuan në shtesë 3-3. Kur dukej se Ballkanit i iku fitorja nga duart, në minutën e 4-t shtesë Krasniqi shënoi golin e fitores për kampionët e Kosovës. Një fitore që do të mbahet mend gjatë për futbollin kosovar.
Pas ndeshjes, trajneri Ilir Daja ka deklaruar se fitorja i dedikohet gjithë Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




