Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka pezulluar lejet katër kompanive të naftës në Kosovë. Petrol Company, Kosova Rafinery, Kulla Exim, In Oil janë kompanitë, të cilave iu është pezulluar leja.
Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se Dogana e Kosovës ka gjetur te katër subjekte që merren me përpunimin e produkteve të naftës parregullsi që pengojnë mbikëqyrjen, rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit.
Hajdari në një konferencë për media bashkë me drejtorin e Doganës, Agron Llugaliu, ka thënë se Dogana nuk ua ka vazhduar autorizimet këtyre kompanive të naftës.
Sipas saj, ato u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara dhe e kanë shmangur akcizën duke e deklaruar gabimisht produktin.
“Dogana ka kryer analiza dhe kontrollet të katër kompanive të naftës dhe ka gjetur parregullsi që pengojnë mbikëqyrjen rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit. Dogana nuk ua ka vazhduar autorizimet katër subjekteve. Disa nga subjektet u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur, mjete matëse të verifikuara dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit”, ka thënë Hajdari.
Ministria ua ka revokuar dhe pezulluar këtyre subjekteve edhe lejet e importit të lëndës së parë dhe shitjen me shumicë të produktit final.
“Ne si ministri e Industrisë kemi revokuar dhe pezulluar 4 subjekteve lejet për importin e lëndës së parë, deponimin e lëndës së parë dhe produktit final dhe shitjen me shumicë të produktit final, që është vaji i rëndë ose mazut. Njërit subjekt ia kemi pezulluar edhe lejen për importin e vajrave të rënda”, është shprehur ajo.
Hajdari ka thënë po ashtu se në kazermat e FSK-së është gjetur naftë me përmbajtje të lartë të sulfurit.
“Gjatë javëve të fundit kemi marrë dhe testuar disa mostra të dizellit në kazermat e FSK-së. Kemi gjetur shumë raste të jokonformitetit. Në një rast kemi gjetur disel me përmbajtje të sulfurit prej 77.4 miligram për kilogram që tejkalon shumëfish shkallën e lejuar prej 10 miligram për kilogram. Për këto raste do të njoftojmë edhe prokurorinë”, ka thënë ajo.
Inspektorati sipas saj, në bashkëpunim me Doganën dhe ATK-në ka gjetur se një numër i madh i shitësve ka tejkaluar marzhin tregtar të lejuar me vendimin e Qeverisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, deklaroi se nga kontrolli i kryer ndaj katër kompanive të naftës, nuk është gjetur “ndonjë interes për vendin”, derisa shtoi se në vendin e hetimeve, kamerat e vendosura nuk i kanë ruajtur xhirimet.
“Për këtë proces të homogjenizimit, këto kompani kanë përfituar nga lirimi në taksë të akcizës. Nga kjo është mundësuar të ketë shmangie të pakontrollueshme të të ardhurave”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




